Mbretëresha Elizabeth II emëron Liz Truss kryeministre të Britanisë

Mbretëresha Elizabeth II emëroi të martën Liz Truss kryeministre të Britanisë.

Truss fitoi dje garën në Partinë Konservatore, duke siguruar postin e lideres së kësaj partie dhe të kryeministres së re të Britanisë së Madhe.

“Mbretëresha priti sot në audiencë të nderuarën Truss dhe i kërkoi asaj që të formonte administratën e re”, tha Pallati Buckingham në një deklaratë.

Sipas pallatit mbretëror, Truss pranoi ofertën e Mbretëreshës dhe “i puthi duart pas emërimit si kryeministre”.

Truss zëvendëson Boris Johnson, i cili u detyrua të largohej nga ky post pas tri viteve të trazuara në pushtet.

Johnson dhe Truss udhëtuan për në Skoci për t’u takuar me Mbretëreshën Elizabeth II, ku Johnson zyrtarisht dorëzoi dorëheqjen dhe Truss u ftua që ta formojë Qeverinë.

Kryeministrja e re do të përballet me një nga listat më të frikshme të problemeve të çdo lideri të pasluftës në Britani, pasi inflacioni arrin në numër dyshifrorë, kostoja e energjisë është rritur dhe Banka e Anglisë paralajmëron për një recesion të gjatë deri në fund të këtij viti.

Takimet e Mbretëreshës me kryeministrat tradicionalisht mbahen në Pallatin Bakingam në Londër. Por, monarkistja 96-vjeçare së fundmi është përballur me probleme shëndetësore dhe e zhvilloi këtë takim në Skoci, ku zakonisht kalon pushimet e verës./REL