Mbretëresha britanike miraton kërkesën për pezullim të parlamentit britanik

Mbretëresha Elizabeta II ka miratuar zyrtarisht kërkesën e kryeministrit britanik, Boris Johnson për të pezulluar punën e parlamentit para largimit të planifikuar të këtij shteti nga Bashkimi Evropian, një hap që do të zvogëlojë dukshëm kohën e ligjvënësve për të diskutuar largimin nga ky bllok.

Liderët e zemëruar opozitarë kanë cilësuar kërkesën e Johnsonit si tentim të qëllimshëm, përmes së cilit i pengon ligjvënësit që të bllokojnë një Brexit pa marrveshje.

Johnson në anën tjetër ka mohuar këto pretendime.

Ai ka fituar një muaj më parë pozitën e kryeministrit dhe menjëherë është zotuar se Britania do të largohet nga blloku evropian në fund të muajit tetor me apo pa kushte të divorcit.

Kritikët vlerësojnë se një Brexit pa marrëveshje do të dërgonte Britaninë drejt një kaosi ekonomik dhe do të dëmtonte tregtinë me 27 vendet anëtare të BE-së.

Miratimi nga Mbretëresha britanike ka qenë veprim formal, pasi asaj i kërkohet të jetë neutrale në aspektin politik dhe të veprojë siç këshillohet nga qeveria.

Ky veprim i lejon qeverisë të pezullojë punën e parlamentit jo më herët se 9 shtatori dhe jo më vonë se 12 shtatori, vetëm disa ditë pas ligjvënësit të kthehen nga pushimet dhe vetëm pak kohë pas afatit të fundit për të finalizuar Brexitin.

Lideri opozitar, Jeremy Corbyn ka thënë se ky veprim “përbën kërcënim për demokracinë tonë”.

Zyrtari i BE-së për Brexitin, Guy Verhofstadt, e ka cilësuar veprimin e Johnsonit “të ligë”.

Mirëpo presidenti amerikan, Donald Trump e ka përshëndetur atë.

“Boris është pikërisht ajo për çfarë ka qenë duke kërkuar Britania dhe ai do ta dëshmojë që është ‘i mrekullueshëm. E dua Britaninë’”, ka thënë Trump përmes një postimi në Twitter./REL