Mbrëmë EULEX-i bëri kontrolle mjekësore ish policit të arrestuar në veri, Dejan Pantiq

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, ka bërë të ditur se mbrëmë një ekip mjekësor i EULEX-it, i ka bërë një kontroll mjekësor ish policit të arrestuar në veri, Dejan Pantiq.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, Wigemark, ka bërë të ditur se kontrolla është bërë me kërkesën e Policisë së Kosovës.

“Me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës, një ekip mjekësor i EULEX-it dje në mbrëmje ekzaminoi z. D.P. i cili është ndaluar nga Policia e Kosovës. Ky është ekzaminimi i dytë mjekësor i z. D.P. kryer nga një ekip mjekësor i EULEX-it. E para u zhvillua një javë më parë” – ka bërë të ditur Ëigemark.

Në ndërkohë, dje EULEX ka thënë në një përgjigje për KALLXO.com se nuk janë përgjegjës për ndalimin e ish- policit Dejan Pantiq por që janë duke shqyrtuar mundësinë t’u ndihmojnë autoriteteve në Kosovë transferimin e tij.

Këtë deklaratë misioni e dha kur u pyet nga KALLXO.com për përgjigjen ndaj autoriteteve kosovare karshi kërkesës për ndihmë që Pantiq të transferohej nga Jarinja në qendër të paraburgimit.

“Duke pasur parasysh faktin se EULEX-i nuk është përgjegjës për ndalimin e PD-së, Misioni po shqyrton nëse mund t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në transferimin e PD-së në përputhje me mandatin e tij dhe legjislacionin e Kosovës”- thuhet në përgjigjen e EULEX.

EULEX: Nuk jemi përgjegjës për ndalimin e Dejan Pantiq, po shqyrtojmë ndihmën për transferimin e tij