Mblidhet grupi punues për draftimin e Koncept-dokumentit për Vetting-un

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se po zhvillohet punëtoria e parë e grupit punues për draftimin e Koncept-dokumentit për zhvillimin e procesit të Vetting-ut në sistemin e drejtësisë.

Sipas MD-së, të pranishëm në këtë punëtori treditore janë përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokrorial i Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës, Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, Zyra e Kryeministrit, Oda e Avokatëve të Kosovës, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Policia e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsionit, përfaqësues nga shoqëria civile dhe përfaqësues nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë.

“Grupi Punues do të reflektojë mbi sfidat me të cilat përballet gjyqësori dhe prokuroria dhe diskutojë mbi kornizën ligjore që do të mundësojë zhvillimin e procesit të vetingut dhe funksionalizimin e mekanizmave të vetingut për të garantuar një proces të drejtë, efikas dhe efektiv. Do të ndahen mendime, sugjerime dhe opinione konkrete nga të gjithë pjesëmarrësit, për t’i pasqyruar më pas ato në draft Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të vetingut. Kjo punëtori është mbështetur nga Ambasada Amerikane”, thuhet në komunikatën e publikuar në Facebook.