Mblidhen tubë e pa maska, hotelierët ultimatum Qeverisë: Të hënën të hapen të gjitha sektorët ose të mbyllen të gjitha

Kryetari i Odës së Hotelerisë, Hysen Sogojeva gjatë një mbledhjeje me pronarët e salloneve të dasmave njoftoi se në takimet që kanë zhvilluar me institucionet kanë kërkuar hapjen e sallave të dasmave por që shtoi se së bashku me ministrin e Shëndetësisë janë në përpilim të një manuali.

Ai tha në këto takime se vetëm u është premtuar që të lejohet mbajtja e dasmave në hapësirat jashtë objekteve.

“Ne kemi pasur takime, edhe jemi duke vazhdu me takime me ministrin Vitia. Jemi duke tentu me kriju një manual se si ka me punu gastronomia dhe hoteleria dhe si ka me u punu kur të hapën kjo veprimtari. Ne do të jemi shumë të kujdesshëm në atë manual dhe atë që e qesim, do ta zbatojmë sepse edhe ne do të jemi partner të përbashkët me ministrin përkatës. Problemi qëndron këtu, në diskutim e sipër, kam kërku nga ministri me hy edhe prapë në bisedime se si t’i hapim sallat. Nëse është e lejume 10 metra katror, pse mos të lejohet edhe tek sallat e dasmave. Na është premtu që të hapen sallat me mundësi me punu jashtë, por nuk ka vendim zyrtar”, tha ai.

 

Ndërkaq, këngëtari Afrim Muqiqi, tha se nuk do të lejojnë që të aplikohen standarde të dyfishta.

Muqiqi tha se qëndrojnë prapa që të hanën ose do të hapën të gjitha sektorët ose të mbyllen të gjitha.

“Kërkesa jonë është që vlen edhe për dasma edhe për pronar të salloneve të dasmave. Nuk do të lejojmë standarde të dyfishta. Nuk ka të punojnë të tjerët e na me u mbyll, ja të gjithë me u mbyll ja askush. Edhe manualin e MSh-së do ta pranojmë e respektojmë, por nuk do të pranojmë që të bëhet sikurse në të kaluarën, që kanë punu krejt, veç dasmat jo. Nuk ka për dikë nanë e dikë njerkë… Ose do të hapën të hënën të gjithë, ose do të mbyllën të gjithë”, tha Muqiqi.

Këngëtari dhe pronari i një hoteli në Gjakovë, Shkelzen Jetishi, përmendi faktin që kufijtë po qëndrojnë të hapur duke shtuar rrezikun që qytetarët të infektohen jashtë vendit, përderisa në Kosovë gastronomia e hoteleria qëndron e mbyllur.

“Qeveria e ka mbyll këtu e kufijtë i kanë lanë hapur. Janë rreth 30 mijë persona që kanë shku në Shqipëri. Edhe atje ka virus. Edhe në Shqipëri 3-4 mijë e kanë marrë virusin, e çka kemi ba? Kurgja! Me mbylljen këtu, njerëzit kanë shku jo vetëm ne Shqipëri, po gjithkund ku ka virus”, tha ai.