(Shkatërrimi pas tërmetit në Thumanë) - Foto ilustruese

Mblidhen mbi 300 mijë euro në xhamitë e Kosovës për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

Bashkësia Islame e Kosovës ka mbledhur 304,302.89 euro për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.

Aksioni për mbledhjen e këtyre mjeteve financiare filloi të premten e kaluar.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton opinionin e gjerë se, në aksionin e ndërmarrë, sipas urdhrit të Myftiut Naim ef. Tërnava, që në të gjitha xhamitë e Kosovës, pas namazit të xhumasë, më datë 29.11.2019, të mblidheshin ndihma për të dëmtuarit nga fatkeqësia e tërmetit në Shqipëri; janë mbledhur gjithsej 304302.89 euro (treqind e katër mijë e treqind e dy euro e tetëdhjetë e nëntë centë)”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.

“Në ditën kur u ndërmor ky aksion, që ishte ditë e premte kur imamët mbajnë ligjëratën e rregullt javore në hytbe, imamët janë orientuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame që të flasin për vlerën e ndihmës-sadakasë,për kuptimet e vëllazërisë kombëtare dhe që të rikujtojnë xhematin që të luten e t’i ndihmojnë motrat e vëllezërit nga Shqipëria në të gjitha format e mundshme, përfshirë edhe nëpërmjet aksionit që po ndërmerrej në xhami”, thuhet tutje në njoftim.

Tërmeti që godi qytetin bregdetar të Durrësit me rrethinë la të vdekur rreth 50 persona, mbi 700 të lënduar e mijëra euro dëme në objektet e banimit.