Mbledhje komemorative kushtuar gazetarit Sulejman Gashi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen komemorative që është mbajtur sot në nder të gazetarit Sulejman Gashi i cili vdiq javën e kaluar, ka kujtuar punën e tij si korrespodent i Radio Televizionit të Kosovës dhe nostalagjinë për paraqitjet e tij.

“Sulejman Gashi do të kujtohet përgjithmonë me pietet për profesionalizmin e tij, për urtësi, për fjalën e peshuar dhe kulturën e lartë të komunikimit publik që kishte.Ai do të mbetet përherë një frymëzim dhe një shembull për brezat e rinj, veçmas për ata që do të merren me profesionin e gazetarit. Zëri i tij do të jehojë përherë në kujtesën tonë si një kujtim i fuqishëm për një njeri të rrallë, që punoi me vetëmohim e me dashuri të madhe për familjen, për institucionin, për atdheun dhe humanizmin në përgjithësi”, ka thënë ai gjatë kësaj ceremonie.

Hoti ka çmuar lartë kontributin e gazetarit Gashi në periudhën e para luftës, duke thënë se “Syla bashkë me kolegët e asaj kohë ditën më së miri të artikulojnë interesat e shqiptarëve në Kosovë dhe t’i mbrojnë ato para qendrave demokratike anë e mbarë botës.”

Kryeministri është zotuar se do të punojë për synimet e  gazetarit Gashi dhe brezit të tij për një Kosovë euroatlantike.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, e ndiej për obligim të zotohem se do të punojmë me tërë përkushtimin tonë, në mënyrë që synimet e Sulejmanit dhe të brezit të tij për një Kosovë tërësisht të integruar në familjen e madhe të vendeve të përparuara të qytetërimit euroatlantik të bëhen sa më parë realitet”, ka thënë në fund të fjalës, Hoti.

Pas mbledhjes komemorative, Sulejman Gashi është varrosur në Prishtinë në një ceremoni të përcjellë nga familjarë të tij.

Vdes gazetari Sulejman Gashi