Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, deputetët dakordohen për dy seanca - VIDEO

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila është deklaruar pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ajo ka thënë se është caktuar që gjatë kësaj jave të mbahen dy seanca plenare.

Sipas Kusari-Lilës, seanca e re do të mbahet më 28 korrik 2022 në ora 10:00.

“Një seancë e re me 28 korrik në ora 10:00 në të cilën parashihet marrëveshja IPA 3, do të jetë edhe rregullorja e punës së Kuvendit në leximin e dytë”, ka thënë ajo.

Sipas Kusari-Lila, shefat e grupeve parlamentare janë dakorduar që në këtë seancë të shqyrtojnë në lexim të dytë edhe Projektligjin për financime politike.

Tutje ajo ka treguar se seanca e dytë është planifikuar që të mbahet vetëm një ditë pas asaj të parës, pra të premten, ku do të shqyrtohen pika të papërfunduara.

“Seanca e ditës së premte do të përfshijë shqyrtimin e pikave të pa përfunduara, me disa pika dhe debati për mosliberalzimin e vizave me të cilën do të fillojë seanca”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo po ashtu ka thënë se sa i përket Projektligjit për pagën minimale ai është në shqyrtim të rregullt dhe nuk ka paralajmërim që do të jetë në rend ditë të seancës tjetër.