Nënshkrimi i marrëveshjes. Foto: MKRS

Mbledhja e dy qeverive në Tiranë, nënshkruhen katër marrëveshje për kulturë dhe sport

Katër marrëveshje nga fusha e kulturës dhe sportit janë nënshkruar sot në Tiranë, në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se në kuadër të kësaj mbledhje, ministrja e MKRS-së Vlora Dumoshi ka nënshkruar katër marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe sportit me ministren shqiptare, Elva Margariti.

“Ministrja Dumoshi vuri firmën në këto marrëveshje që synojnë bashkëpunim ndër shtetëror në fushën e kulturës dhe sportit. Në memorandumin e bashkëpunimit për veprimtarinë botuese dhe librin i cili ka për qëllim bashkëpunim të shumëfishtë me Shqipërinë për librin dhe botimin. Marrëveshja parasheh edhe lehtësira në kufij për librat që qarkullojnë mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Po ashtu, sipas MKRS është arritur edhe memorandumi i bashkëpunimit për Kalendarin e përbashkët kulturor Kosovë – Shqipëri dhe memorandumi për bashkëprodhim filmik, i cili, sipas njoftimit të MKRS-së, do të ngrisë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve filmike, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës së Filmit të Shqipërisë në bashkëprodhim filmik, dhe memorandum i cili parasheh ndarjen e çmimeve kombëtare në kinematografi. Është nënshkruar, edhe memorandumi i bashkëpunimit ku dy palët i japin mbështetje themelimit të Ligës së përbashkët të Basketbollit ndërmjet Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit.

“Synim i marrëveshjes është që bashkëpunimi i kësaj forme të thellohet edhe në disiplina tjera sportive, për mbështetjen e nismave për krijimin e ligës dhe mekanizmave tjerë të përbashkët për organizimin e sportit në nivel mbarëkombëtar. Institucionet vartëse të të dy ministrive do të vazhdojnë me modalitetet të cilat derivojnë nga këto marrëveshje me qëllim të zbatimit sa më të mirë të tyre”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e MKRS rreth marrëveshjeve të arritura gjatë mbledhjes së dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë, që u mbajt sot në Tiranë.