Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, sot vendoset për avancimin e statusit të Kosovës

Çështja e avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, është sot në agjendën e kësaj asambleje që po i zhvillon punimet në Sofje të Bullgarisë.

Kosova po përfaqësohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, Driton Hyseni dhe Xhavit Haliti.

Deputetët kanë marrë pjesë edhe në punimet e Komisionit per Mbrojtje dhe Siguri në AP të NATO-s, ku u prezantua raporti: Ballkani Perëndimor- Sfida të Përseritura të Sigurisë në pragun e NATO-s, nga Lord Mark LANCASTER (Mbretëria e Bashkuar).

“Në prezantimin e këtij Draft-raporti, Lordi Lancaster në kuadër të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perendimor theksin kryesor e vuri në sfidat dhe kërcënimi nga tensioni, të cilat janë krijuar në Kosovë dhe BeH që nga viti 2023, ku pati një rikthim të konsiderueshëm të konfrontimeve të dhunshme në veri të Kosovës, që kulmuan me sulmin terrorist ne Banjskë, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Sipas komunikatës, pas raportit pati diskutime nga delegacionet pjesemarrëse, ku u vlerësua cilësia e raportit si dhe u theksua rëndësia e madhe që ka për NATO-n ruajtja e sigurisë dhe paqes në Ballkanin Perëndimor, edhe për faktin se NATO-ja është prezente në Kosovë përmes KFOR-it.

Delegacioni i Serbisë ndërkaq u ‘ankua’ për, siç u tha, “të drejtat e limituara të serbëve në Kosovë” si dhe që “Kosova nuk e ka përmbushur detyrën e saj sipas marreveshjes për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Në kundërpërgjigje të kësaj, deputeti Hyseni theksoi se “jemi duke u përballur me situata kur përfaqësuesit politikë të Serbisë po bëjnë deklarata pa kuptim, pa iu referuar realitetit dhe me potencial shumë të lartë të qasjes destruktive ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

“Një nga propozimet e dala gjatë këtij diskutimi ishte edhe ai që bëri deputeti Driton Hyseni dhe i cili u përkrah plotësisht nga z. Lancaster, i cili kërkoi që BE-ja të gjejë mënyra për ta detyruar Beogradin ta nënshkruajë marrëveshjen dhe kësisoj detyrohet per implementimin e tyre”- bëhet e ditur tutje në kumtesë.

Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.