Mbindërtimet në Prizren, aprovohet kërkesa për ekspertizë financiare për vlerësimin e dëmit ndaj Komunës së Prizrenit

Në procesin gjyqësor ndaj ish-inspektorit të ndërtimit, Nexhmedin Musliu, dje (e martë), është aprovuar kërkesa për ekspertizë financiare rreth vlerësimit të dëmit të shkaktuar ndaj Komunës së Prizrenit.

Ish-inspektori Musliu, akuzohet se nuk e ka inspektuar dhe nuk ka ndërmarrë veprime kundër mbindërtimeve pa leje nga një investitor, i cili duke ndërtuar objektin ka tejkaluar lejen për një etazhitet dhe me këtë rast Kuvendit Komunal i është shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara.

Propozimi për ekspertizë u bë nga përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, Blerim Mazreku i cili kërkoi nga gjykata që me anë të kësaj ekspertize të bëhet llogaritja e taksave të papaguara.

“Meqenëse në aktakuzë thuhet se me veprimet e të akuzuarit është dëmtuar Komuna në emër të taksave të papaguara, si dhe me faktin se kemi të bëjmë me tejkalim të lejes ndërtimore, propozoj që të nxirret ekspertiza financiare dhe të përcaktohet llogaritja e këtyre taksave”, tha Mazreku.

Këtë propozim e mbështeti prokurorja e rastit Ervehe Gashi ndërkaq, i akuzuari Nexhmedin Musliu e kundërshtoi duke thënë se Komuna në këtë rast nuk ishte dëmtuar pasi sipas tij, investitori kishte paguar lejen dhe mbindërtimi në fjalë nuk e dëmtonte Komunën, por vetëm siluetën e asaj lagjeje-ambientin.

Tutje gjykimi ka vazhduar me leximin e shkresave të lëndës. Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua për datën 14 prill dhe 11 maj 2022.

Sipas aktakuzës të ngritur më 25 shtator 2019, Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë nga data 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Musliu duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, për të cilën vepër penale parashihet dënim prej 6 muaj deri në 5 vite burgim.

Lidhur me akuzën në fjalë, ish-inspektori ishte deklaruar i pafajshëm.

Kjo nuk është hera e parë që ish-inspektori po del para gjykatës për t’u përballur me aktakuzë.

Nexhmedin Musliu, më 23 qershor 2021, nga Gjykata e Prizrenit ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burgim efektiv prej 10 muajve. Pos dënimit me burgim, Gjykata të akuzuarit i kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues – ndalimi i ushtrimit të profesionit për 2 vite.

Gjithashtu Musliu, është i përfshirë edhe në disa raste të tjera gjyqësore që kanë të bëjë me veprën e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.