Pagat e stafit politik të ZKM-së që nga dorëheqja

Nga dorëheqja, 'Oborrtarët' e Haradinajt kushtuan mbi gjysmë milion euro

Që nga dorëheqje e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, Kabineti qeveritar është mbledhur edhe 5 herë të tjerë për të marrë vetëm vendime të pashmangshme.

Puna që bënë zyra e Kryeministrit dhe stafi i tij është me intenzitet shumë të ultë krahasuar me muajt paraprak, por Haradinaj me vartësitë e tij, marrin rreth 90 mijë euro rroga brenda muajit.

Që nga muaji gusht, duke llogaritur edhe pagat e janarit që pritet t’i marrin, veç për stafin e Haradinajt janë shpenzuar mbi gjysmë milioni euro.

Për muajt, gusht, shtator, tetor, nëntor, dhjetor dhe janar janë shpenzuar për pagat e zyrës së Haradinajt 539 mijë e 874 euro.

Tabela e pagave të stafit politik të ZKM-së
Përgatiti: KALLXO.com

Në këto gjysmë milioni euro përfshihen pagat e Kryeministrit, zëvendëskryeministrave, koordinatorëve nacional, këshilltarëve politik të Kryeministrit, shoferëve të zyrës, asistentëve etj.

Pagën më të lartë në këtë zyre e ka kryeministri, duke vazhduar pastaj më zëvendësit e tij dhe koordinatorët nacional, pastaj vjen shefi i stafit të kryeministrit, shefi i kabinetit e këshilltarët.

Sipas një dokumenti që Ministria e Administratës Publike ia ka dërguar Gazetës Jeta në Kosovë, kryeministrin Haradinaj e këshillojnë 19 këshilltarë politik.

Paga bazë e një këshilltari politik të kryeministrit është 1 mijë e 340 euro. Për vetëm një muaj, këshilltarët e Haradinajt marrin 25 mijë e 460 euro rroga.

Për 6 muaj, që nga dorëheqja, janë dhënë 152 mijë euro vetëm për këshilltarët e Haradinajt.

Në këtë dokument që ka siguruar Gazeta figurojnë vetëm 2 zëvendëskryeministra. Kjo për shkak se zëvendëskryeministrat e tjerë janë edhe ministra të dikastereve tjera qeveritare.

Ndërsa 2 zëvendëskryeministrat numërojnë 15 këshilltarë politik. Paga e një këshilltari politik të zëvendëskryeministrit, sipas dokumentit që ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë nga MAP-i është 1 mijë e 100 euro.

Për 1 muaj, për këshilltarët e 2 zëvendëskryeministrave janë shpenzuar 16 mijë e 500 euro, ndërsa që nga dorëheqja e qeverisë, vetëm për këshilltarët e 2 zëvendëskryeministrave janë shpenzuar 99 mijë euro në paga.

Zëvendëskryeministrat numërojnë edhe nga një këshilltar të lartë politik, paga e së cilëve është 1 mijë e 200 euro në muaj.

Gazeta Jeta në Kosovë javë më parë publikoi hulumtimin ku u treguan pagat në detyrë të Kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave e zëvendës ministrave.

Për 5 muaj, këta zyrtarë ndonëse të dorëhequr kishin marrë rreth 700 mijë euro paga.

Rrogat ‘në detyrë’: Rreth 700 mijë euro për qeverinë Haradinaj që nga dorëheqja

Ditëve në vazhdim Gazeta Jeta në Kosovë do të publikoi edhe shpenzimet për paga për asistentë, shoferët, truprojat e këshilltarët e ministrave në detyrë.