Mbi buxhetin për trashëgiminë, shtëpitë kopje prej “guri” përkujtojnë Luftën e Kosovës

Të ndërtuara me tulla, dhjetëra shtëpi kopje prej guri të njohura si ‘kulla’ janë shfaqur në të gjithë Kosovën për ta përkujtuar luftën e saj për pavarësi nga Serbia. Mirëpo kritikët thonë se ato janë ndërtuar dobët dhe kërkojnë të dinë pse mjetet financiare për ndërtimin e tyre janë dhënë nga buxheti i trashëgimisë kulturore.

Në një ditë prilli të vitit 2019, një autokolonë me ish-presidentin dhe ish kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, u shfaq në fshatin Lubizhdë të Prizrenit. Ata shkuan atje për të vendosur gurthemelin e një shtëpie tradicionale e ndërtuar prej guri – e njohur si ‘kulla’ – dedikuar rezistencës së shqiptarëve të Kosovës kundër sundimit serb në vitet 1990.

Haradinaj dhe Thaçi, rivalë politikë, por dikur bashkëluftëtarë në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-99, secili prej tyre hodhën aty nga një lopatë me beton dhe fill pastaj iu kthyen biznesit të tyre politik.

Dy vjet më vonë, shtëpia prej guri është ende në ndërtim e sipër, e lënë ksisoji për faktin se komuna e Prizrenit ende nuk ka lëshuar një leje ndërtimi. Pak më shumë se 74,000 euro janë ndarë për këtë shtëpi nga buxheti i trashëgimisë kulturore të qeverisë.

Kreu i fshatit Bekim Nerja vë në dyshim shpenzimet në një fshat i cili tashmë ka një vendvarrezë dhe një memorial për luftëtarët shqiptarë të rënë në Kosovë.

“Askush nuk e ka kërkuar këtë shtëpi prej guri,” tha ai për BIRN. “Fshati ka nevojë për një qendër shëndetësore që funksionon më mirë, ose investime për të krijuar vende të reja pune.”

Mirëpo, ndërkohë që shtëpia në fshatin e Nerjas ende pret të ndërtohet, dhjetëra të tjera tashmë janë ngritur në të gjithë Kosovën me para të destinuara për restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Dhe jo të gjithëve u bën përshtypje një gjë e tillë.

“Është joprofesionale dhe mediokre”, deklaroi Sali Shoshi, drejtor i Trashëgimisë Kulturore pa Kufij në Kosovë, i cili punon për ta ruajtur trashëgiminë kulturore të rrezikuar nga konfliktet.

“Ajo që është ndërtuar deri më tani janë ndërtesa të reja, kryesisht kopje të kullave dhe të cilat nuk përfaqësojnë asgjë për sa i përket rëndësisë dhe identitetit të një vendi të caktuar.”

Shtëpi prej guri e ndërtuar me tulla


Shtëpi me tulla te Basri Canolli në fshatin Marec, afër Prishtinës. Foto: BIRN

Kullat tradicionale në Kosovë datojnë kryesisht në shekujt 18 dhe 19 kur Kosova, një ish-krahinë serbe, e pavarësuar që nga viti 2008, ishte pjesë e Perandorisë Osmane.

Të projektuara si fortifikata për familjet, ato tradicionalisht ndërtoheshin në tri kate – një kat përdhesë i qëndrueshëm, një dhomë dite dhe depo në katin e parë dhe një kat i sipërm për burrat të quajtur ‘oda’. Shumë nga kullat origjinale të Kosovës janë  shkatërruar gjatë luftës së viteve 1998-99, e cila përfundoi pas 11 javësh sulmesh ajrore të NATO-s për t’i dëbuar forcat serbe të akuzuara për mizori.

 

Mirëpo, ndërkohë që ligji në lidhje me trashëgiminë kulturore parashikon që paratë publike të shpenzohen për vendet e përcaktuara zyrtarisht të trashëgimisë që kanë nevojë për restaurim, nuk ka asnjë përgatitje për ndërtimin e monumenteve të reja.

Ministria kosovare për kulturë thotë se kullat kopje janë një mënyrë për ti shënuar ngjarjet e fundit të viteve 1990 dhe luftën e shqiptarëve të Kosovës kundër represionit serb. Disa janë të përkushtuar për figura të shquara të luftës, të tjerët për lokacione të masakrave apo fushëbeteja.

Ndryshe nga origjinalet, kopjet e sotme janë ndërtuar me tulla dhe janë mbështjellë me gur dekorativ. Për disa, rezultati është zhgënjyes.

“Ndihem keq më shumë për shkak të shpenzimit të 64,000 eurove nga buxheti i shtetit për një objekt të tillë,” tha Ilmi Canolli lidhur me kullën që po ndërtohej në fshatin Marec, në lindje të Prishtinës, në përkujtim të vëllait të tij, Basriut, i cili vdiq duke luftuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK.

“Kontraktori nuk po e ndërton siç duhet,” i tha Canolli BIRN. “Disa herë kam kërkuar nga Ministria e Kulturës që ta bëjë një inspektim profesional të ndërtimit, siç premtuan ata.”

Gurthemeli është vendosur dy vjet më parë dhe kulla duhej të ketë qenë e gatshme brenda 90 ditësh, por ende është në ndërtim e sipër. “Ka kaq shumë defekte,” shtoi ai. “Ata punojnë në cilëndo mënyre që duket më e lehtë dhe më e lirë për ta”.

Shoqata e Veteranëve: ‘Të gjithë dëshmorët janë të barabartë’

Ilmi Cannoli në përkujtimoren e vëllait të tij Basriut. Foto: BIRN

Sipas Ministrisë së Kulturës, shumica e kullave kopje propozohen nga komunat apo shoqatat e luftës.

“Një shtëpi prej guri është propozuar për ndërtim nga grupe specifike të interesit, për shembull, një komunë, komunitet, një grup parlamentar, shoqatë lufte ose familjarë,” tha Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës.

Megjithatë, Xhavit Jashari, kreu i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, tha se shoqata e tij nuk kishte paraqitur ndonjë kërkesë të tillë.

“Asnjëherë nuk kemi bërë ndonjë kërkesë për ndonjë kullë për ndonjë dëshmor. As nuk jemi këshilluar ndonjëherë për gjëra të tilla,” deklaroi tha Jashari për BIRN.

Sipas tij, më shumë se 2,500 kosovarë janë klasifikuar nga një komision qeveritar si martirë. “Për ne, ata janë të gjithë të barabartë,” tha ai.

Njëjtë sikurse Canolli, edhe Shaban Manxholli deklaron se kulla që ai dhe familja e tij e kishin kërkuar për nder të gjyshit të tij dhe luftës së tij kundër sundimit serb, kishin ankesa lidhur me ndërtimin.

“Ajo që është ndërtuar nuk ka asnjë lidhje me trashëgiminë kulturore,” tha ai. “Thjesht, na tregon se si abuzojnë ndërtuesit.”

Qazim Bytyqi, ndërmarrja ndërtimore e të cilit, Albi, ishte kontraktuar nga Ministria e Kulturës për ndërtimin e disa prej shtëpive prej guri, duke përfshirë atë të Manxhollit dhe një tjetër në Lubizhde, e mohon që puna të jetë jetë bërë me gabime.

“Nuk është e vërtetë që kemi lënë shumë defekte,” tha ai për BIRN. “Ne kemi një komision mbikëqyrës nga Ministria e Kulturës i cili mund të vlerësojë punën tonë. Nuk kam pranuar asnjë ankesë deri më tani”.