Mbi 9 mijë kosovarë të punësuar në sektorin e shëndetësisë në Gjermani deri në shtator 2023

Kosova, viteve të fundit është duke u përballur me ikjen e infermierëve dhe mjekëve të drejtim të vendeve europiane.

Gjermania mbetet ndër destinacionet e preferuara për këta profesionistë.

Sipas të dhënave të Institutit GAP, 9 mijë e 91 kosovarë kanë qenë të punësuar në sektorin e shëndetësisë në këtë shtet deri në shtator të vitit 2023.

Në krahasim me vitin 2022 kur kanë qenë të punësuar 8 mijë e 60 kosovarë, ky numër është rritur për 1 mijë e 31 vetë.

Gjatë vitit 2022 në këtë sektor në Kosovë kanë punuar 14 mijë e 786 vetë. Kjo i bie që në Kosovë ka 46 për qind më shumë punonjës shëndetësorë se sa që ka të tillë vetëm me shtetësi kosovare në Gjermani.

Instituti GAP ka publikuar shifrat e këtyre të dhënave që nga viti 2019, ku shihet se numri i punonjësve shëndetësorë në Kosovë ka ndryshuar shumë pak, përderisa në Gjermani ka pasur rritje graduale.

Në vitin 2019 për shëndetësinë gjermane kanë punuar 5 mijë e 440 kosovarë.

Këto të dhëna, GAP i ka marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe nga Agjencia Federale e Punësimit në Gjermani.

Mbi 500 infermierë janë larguar nga vendi gjatë vitit 2022 sipas Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së.