Mbi 9 mijë euro shuma e vjedhur në 'Trepçë'

Gjatë festave të fund-vitit, kur të gjithë ishin në pushim, hajnat kishin punë. Ata ia mësynë depove të Ndërmarrjes “Trepça” ku edhe vodhën stoqe në vlerë të përgjithshme prej 9 mijë e 58 eurove.

Një komision i përbërë prej tre anëtarëve, Burim Hajdni, kryetar, Mehmet Rama, anëtar dhe Arianit Voca, anëtar, dolën në vendngjarje më 5 janar të këtij viti për të pa se çfarë u vodh në depot e “Trepçës”.

Sipas gjetjeve, hajnat kishin cak vjedhjen e një sasie të plumbit dhe skrapit të bakrit. Kështu, u konstatua se u vodhën plotë 133 blloqe plumbi, një bllok peshonte 29 kg e në peshën totale 3 mijë e 857 kg.

Sipas raportit, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, vlera e një toni të plumbit më datë 11 janar 2021 në bursën e Londrës ishte 1 mijë e 993 dollar. E gjithë vlera e vjedhur e plumbit në “Trepçë” kapte shumën e 6 mijë e 313 eurove.

Përveç plumbit, në vjedhjen që ndodhi në kohë festash në “Trepçë” u vodh edhe skrap i bakrit. Në depo, sipas raportit të komisionit, ishin 332 copë kabllo me gjatësi prek 1.3 metër ndërsa, komisioni konstatoi si ishin vjedhur plotë 221 copë apo 525 kilogram.

Shuma në para e skrapit të bakrit e vjedhur në depot e “Trepçës” kapte vlerën e 2 mijë e 745 eurove pasi, çmimi i skrapit të bakrit në treg është 2 euro.

Vlera e tërësishme e vjedhur në depot e Ndërmarrjes “Trepça” kapte shifrën e 9 mijë e 58 eurove e 33 cent.

Pas raportimeve për vjedhje brenda “Trepçës”, Prokuroria e Shtetit kishte urdhëruar hetimet.

Vidhen stoqe të bakrit në Trepçë

www.kallxo.com