Tërmeti në Turqi, Foto: FSK

Mbi 8 mijë njerëz të gjallë u nxorrën nga rrënojat e tërmetit në Turqi

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nxjerrë mbi 8 mijë njerëz të gjallë nga rrënojat e tërmeteve të forta që goditën Turqinë jugore më 6 shkurt, tha presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Turqia u është mirënjohëse të gjitha vendeve për ndihmën që dhanë për përpjekjet e kërkim-shpëtimit dhe ndihmës pas tërmeteve të fuqishme, tha të martën presidenti Erdogan, raporton Anadolu Agency.

Në një video-mesazh dërguar Samitit të Qeverisë Botërore në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, udhëheqësi turk tha se ekipet kanë nxjerrë më shumë se 8 mijë njerëz të gjallë nga rrënojat e tërmetit që nga lëkundjet e forta që goditën Turqinë jugore javën e kaluar.

Ai tha gjithashtu se një numër i madh prej mbi 81 mijë personash të lënduar nga tërmetet janë liruar nga spitalet.

“Dëshiroj të falënderoj edhe një herë të gjitha vendet mike që kanë mbledhur ndihma për kombin tonë ditë e natë, duke mbështetur përpjekjet tona të kërkim-shpëtimit me ekipet e tyre dhe duke mos na harruar në lutjet e tyre” – shtoi Erdogan.

Turqia, e cila po përballet me një nga “katastrofat më të mëdha natyrore” jo vetëm në historinë e saj, por edhe në historinë e njerëzimit, nuk do ta harrojë kurrë “miqësinë që treguat në këtë ditë të errët” – tha ai.

Fatkeqësia e tërmetit “tregoi edhe një herë rëndësinë e solidaritetit ndërkombëtar”, theksoi ai, pasi Turqia ka marrë mesazhe mbështetjeje dhe ngushëllimesh nga më shumë se 100 vende, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe që po pret Samitin.

Më 6 shkurt, dy tërmete të fuqishme goditën Turqinë jugore.

Lëkundjet me magnitudë 7.6 dhe 7.7 u përqendruan në Kahramanmaras dhe goditën nëntë provinca të tjera – Hatay, Gaziantep, Adiyaman, Malatya, Adana, Diyarbakir, Kilis, Osmaniye dhe Sanliurfa.

Ata gjithashtu goditën disa vende dhe shkaktuan shkatërrim të gjerë në Sirinë veriore.

Më shumë se 31,600 njerëz u vranë në Turqi, sipas shifrave të fundit zyrtare, ndërsa numri i të vdekurve arriti në 3,600 në Siri.