Mbi 60 mostra për coronavirus merren nga Gjilani

Në Komunën e Gjilanit vetëm gjatë ditës së sotme janë marrë më shumë se 60 mostra të dyshimta për coronavirus.

Këto mostra janë marrë nga kontaktet e personave të cilët mbrëmë kanë rezultuar pozitiv me coronavirus.

Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

Mbrëmë nga 14 raste të konfirmuara pozitiv, nëntë janë nga Komuna e Gjilanit.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me veprimet e ndërmarra të Komunës së Gjilanit pas rasteve të reja.

Kujtojmë se Reparti i Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit është mbyllur pasi që një doktor, dy infermiere dhe një person tjetër i stafit të mirëmbajtjes kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Gjithashtu sipas zyrtarëve të Komunës së Gjilanit burimi i infeksionit ka qenë një punonjëse e një spitali privat në Prishtinë.

Mbrëmjen e kaluar IKSHP njoftoi për 14 raste të reja me coronavirus.

Gjithsej në Kosovë janë regjistruar 884 raste me coronavirus. Nga kjo shifër 655 janë shëruar, janë shënuar 28 viktima ndërsa rastet tjera janë ende aktive.