Dëgjimi Buxhetor, Komuna e Mitrovicës së Veriut 15.08.2024 - Foto: KALLXO.com
Mbi 6 milionë euro buxheti i Komunës së Mitrovicës së Veriut për vitin 2025, asnjë qytetar i komunitetit serb i pranishëm në dëgjimin buxhetor
Asnjë qytetar i komunitetit serb nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Komunës së Mitrovicës së Veriut me qytetarë gjatë të cilës është diskutuar për planifikimin e buxhetit për vitin 2025 dhe parashikimet për vitet 2026 dhe 2027.
Në mbledhjen që është mbajtur më 15.08.2024 kanë marrë pjesë vetëm disa qytetarë të komunitetit shqiptar.
Ndonëse qytetarët kishin ankesa për infrastrukturën e investimet kapitale në lagjet e Mitrovicës së Veriut, drejtorët e drejtorive përkatëse nuk ishin presentë në sallë.
Të pranishëm ishin vetëm nënkryetarja e Komunës, Katarina Axhançiq, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Uglanin dhe drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet, Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Mevlyde Peci-Shala.
Buxheti i vitit 2025, i cili u prezantua në këtë mbledhje, do të jetë 6 milionë e 512 mijë e 367 euro.
“Në krahasim me vitin paraprak e kemi një rritje simbolike prej 144 mijë euro. Grant specifik ka në arsimin parauniversitar, shëndetësi primare dhe shëndetësi sekondare”- tha drejtoresha për Buxhet, Mevlyde Peci- Shala.
Qytetari nga lagjja “Kodra e Minatorëve”, Safet Cerani, tha se në këtë pjesë ka probleme të shumta me kanalizim.
“Kemi nevojë për ujë, në shekullin 21 para 10 dite, para 5 dite s’kemi pasë ujë. Në atë lagje kemi të moshuar e invalidë të shtrirë. Për shkak se ujësjellësi dhe kanalizimi janë bashku për shkak të disa banesave. Në shekullin 21 me qenë një kanal, një gyp. Çdo ditë gypat e kanalizimit te na kërsasin. Çka keni investu? Rrugët nuk i kemi kurrqysh”- ka thënë qytetari.
Uglanin tha se kjo i takon ekzekutivit ndonëse premtoi se këto probleme do të rregullohen.
“Ma s’pari e kemi vizitu “Kodrën e Minatorëve”. Unë vet kam thanë që është bo si me i ra bomba. Sidomos kanalizimet. Bashkarisht kemi dalë. Punimet do ia fillojnë. Ne do ta shohim me nda shumën më të madhe, por ju e dini se nuk e kemi vetëm këtë lagje. Të jesh i bindur se deri në fund të vitit krejt do të rregullohen”- ka thënë Uglanin.
Ndërsa drejtoresha për Buxhet Mevlyde Peci-Shala tha se prioritet janë investimet në shëndetësi dhe arsim.
“Janë tri grante të buxhetit komunal, të cilat na duhet me i respektu. Është bartja e arsimit është gjysmë milioni, është shëndetësia sekondare që i merr 1 milion. Edhe pse ju e shihni si shifër 6.5 millionë, buxheti real i Komunës që na mundemi me e shfrytëzu është 3.2 millionë. I kemi edhe investimet kapitale. Si numra po duken të mëdhaja mirëpo prioritet është shëndetësia e arsimi. Subvecione i kemi 200 mijë euro për krejt vitin për subvencionim të qytetarëve”- u shpreh ajo.
Këtë e kundërshtoi zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal, Skender Sadiku, i cili ishte i ulur në radhën e qytetarëve, duke thënë se shuma është e mjaftueshme dhe se drejtorët e drejtorive përkatëse do të duhej të ishin prezent.
“Pare ka. Secili duhet ta kryejë punën e vet, drejtoresha do të duhet të fliste jo ti. Drejtoritë e drejtorive për emergjenca, shërbime publike e infrastrukturë, për investime kapitale nuk ishin fare prezentë, atyre duhet t’u drejtohen qytetarët”- tha Sadiku.
Ndryshe, të tre komunarët që ishin përpara qytetarëve në këtë mbledhje shprehen keqardhje se nuk kishte asnjë qytetar të pranishëm nga komuniteti serb.
Shënim: Në ora 23:24, në paragrafinë e dytë është bërë një korrigjim lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në mbledhje.