Foto: Pixabay

Mbi 561 GWH konsumi i rrymës për një muaj

Statistikat për energjinë, për muajin janar të këtij viti, tregojnë se konsumi i energjisë elektrike apo rrymës e thënë ndryshe, kaloi 561 GWh [giga vat orë], duke shënuar një rritje në këtë muaj.

“Gjatë muajit janar 2023, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 839.43 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 561.77 GWh, ose 0.24% më i madh sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak (janar 2022)”- thuhet në komunikatë.

Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 18.95 për qind.

Në anën tjetër bëhet e ditur se importi  i energjisë elektrike në janar 2023 ishte 348.09 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike ishte 171.66 GWh dukë përfshirë edhe sasinë e transmisionit.

ASK tregon se për një muaj u prodhuan rreth 8 mijë tonë  thëngjill

“Prodhimi i thëngjillit ishte rreth 7.95 mijë ton, ose 1.64% më shumë sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak (janar 2022)”- tregon ASK.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin për të dhënat për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë, për muajin janar 2023.

Kujtojmë, se më 23 mars 2023, siç raporton  KALLXO,com, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka miratuar të hyrat maksimale prej 398.4 milionë euro për KESCO-në apo 14.7 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Pra, 14.7 për qind apo rreth 50 milionë euro KESCO do t’i mbledh nga qytetarët e Kosovës për vitin 2023/2024.

Andaj, pritet që në Kosovë të ketë shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike, për të cilën Bordi i ZRRE do të mblidhet përsëri javën e ardhshme.

Kryetari i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha se rritja do të jetë lineare duke prekur të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Fejzullahu tha se bllok-tarifat do të mbesin të njëjta ndërsa deri në javën tjetër janë duke pritur komentet nga KEDS, KESCO, KOSTT dhe KEK për rritjen e tarifave të energjisë.

“ZRRE zakonisht duke marrë parasysh edhe vitin e kaluar e ka shpërndarë koston në bazë të atyre që shkaktojnë kosto në sistem. Rritja pritet të shpërndahet për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, ku aktualisht kemi 9 kategori. Bllok-tarifa do të jetë e njëjtë dhe shtrenjtimi do të bëhet në mënyrë lineare”- tha kryetari i Bordit të ZRRE-së.