Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Mbi 55 mijë euro Qeveria ia jep MSH-së për t'i paguar 34 inspektorë

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Ministrisë së Shëndetësisë t’ia ndajë mbi 55 mijë euro për pagesën e inspektorëve sanitarë të angazhuar për zbatimin e masave kundër pandemisë COVID-19.

Para ministrave të kabinetit qeveritar, këtë propozim e bëri Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve.

“Ka të bëjë me një propozim-vendim për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 55 mijë e 700 euro për Ministrinë e Shëndetësisë në mënyrë që të mbulohet pagesa e 34 inspektorëve sanitar, pra përmes këtij vendimi mbulohet kostoja për angazhimin e përkohshëm të këtyre inspektorëve që kanë të bëjnë me menaxhimin e pandemisë COVID-19”, tha Murati.

Me rritjen e numrit të rasteve si dhe shtimit të masave kundër pandemisë COVID-19, Ministria e shëndetësisë kishte marrë vendim që në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës të angazhohen 85 inspektorë shtesë.