Foto: Valentina Gara - Facebook

Mbi 5,400 euro i kushtoi Ministrisë së Jashtme bileta e aeroplanit e një zyrtari të saj

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Punëve të Jashtme kishte blerë një biletë në relacionin Nairobi (Kenia) – transit përmes Amsterdamit – në Nju Jork (ShBA) dhe anasjelltas, e cila fillimisht ishte paguar me çmim 1,499 euro dhe ishte anuluar për t’u blerë menjëherë biletë tjetër për datën e njëjtë të udhëtimit por tashmë përmes transitit tjetër (Stambollit) dhe atë biznes klasë.

Sipas Auditorit, bileta e re e kishte çmimin 4,440 euro.

Për arsye shëndetësore të shfrytëzuesit të biletës, ky udhëtim MPJD-së i kushtoi mbi 5,400 euro.

“Arsyetim për këtë ndërrim ishin shkaqet shëndetësore të shfrytëzuesit të biletës. Rimbursimi i biletës ishte në vlerë prej 532 euro. Përfundimisht, udhëtimi i këtij zyrtari i kishte kushtuar MPJ-së gjithsej 5,407 euro”, thuhet në raport.

Përmes letër-konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Ministria e Punëve të Jashtme është pajtuar me gjetjet dhe konkluzionet e auditimit si dhe është zotuar se do t’i adresojë rekomandimet e dhëna.

Ky raport i auditimit mbulon vitet 2016-2019.

Shërbimet e transportit ajror për herë të parë janë kontraktuar në mënyrë të centralizuar në vitin 2016. Deri në nëntor 2020, për këtë lloj shërbimi janë lidhur dy kontrata kornizë, njëra tanimë e zbatuar ndërsa e dyta ka afat deri në dhjetor të vitit 2021.

Vlera e realizuar e kontratës së parë ishte afër 5,7 milionë euro ndërsa, me kontratën e dytë deri në janar 2020 ishin shpenzuar afër 3,7 milionë euro nga afërsisht 4,7 milionë euro të parapara të shpenzohen. Përgjegjëse për zhvillimin e aktiviteteve të prokurimit (që kanë rezultuar me lidhjen e këtyre dy kontratave) është Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Në këto dy kontrata, janë përfshirë organizatat buxhetore të nivelit qendror dhe të nivelit lokal. Fillimisht, në kontratën e parë ishin përfshirë kryesisht organizatat buxhetore të nivelit qendror pastaj në kontratën e dytë ishin përfshirë edhe ato të nivelit lokal.

Për të vlerësuar nëse furnizimi me bileta për shërbimet e transportit ajror është kryer në përputhje me kontratat, ZKA ka audituar një numër të konsiderueshëm të këtyre furnizimeve në organizatat buxhetore në vijim: Zyrën e Kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme – përfshirë Policinë e Kosovës si agjenci e saj, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komunën e Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë dhe Suharekës.