Një nga trajnimet e BIRN Kosova

Mbi 500 persona u trajnuan nga BIRN dhe Internews Kosova në vitin 2019

35 trajnime me mbi 500 pjesëmarrës u organizuan gjatë vitit 2019 nga organizatat bashkëpunëtore, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova.

Këto  dy organizata këtë vit publikuan në total 8 raporte të monitorimit për fusha dhe institucione të ndryshme.

Në vitin 2019, BIRN shpërndau 20 bursa dhe 32 nëngrante për gazetarë, media individuale dhe grupe apo organizata joqeveritare.

BIRN dhe IKS prodhuan së bashku afër 60 emisione këtë vit.

Emisioni “Jeta në Kosovë” këtë vit transmetoi 30 emisione, ndërsa 29 emisioni “Drejtësia në Kosovë”.

Përveç kësaj, në kohën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare këtë vit u transmetuan 13 debate zgjedhore #DebatPernime.

Platforma KALLXO.com këtë vit publikoi mbi 27 mijë e 800 artikuj.

441 persona u trajnuan nga BIRN 

23 trajnime të ndryshme u organizuan nga BIRN Kosova këtë vit.

Nga 10 qershori deri më 7 dhjetor të vitit 2019, BIRN së bashku me partnerin, Environmentally Responsible Action (ERA), organizuan dhe mbajtën 8 trajnime për avokimin e çështjeve energjetike dhe mjedisore në 8 rajone të Kosovës.

Trajnimet u mbajtën në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian, “Europianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.

Gjithsej 213 individë nga organizata të shoqërisë civile, media dhe gazetarë, përfituan nga këto trajnime.

Me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë Holandeze, BIRN Kosova filloi zbatimin e projektit  “Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm / ZKA në Kosovë”.

Qëllimi i projektit është të promovojë mbikëqyrjen publike për të nxitur rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Në kuadër të këtij projekti, më 25 nëntor u mbajt trajnimi i parë për Auditorin e Përgjithshëm dhe stafin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Në hapjen e këtij projekti, morën pjesë Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ambasadorja e Holandës në Kosovë,  Gerrie Willems, drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, si dhe përfaqësues nga ZKA-ja dhe BIRN-i.

Trajnimi kishte për qëllim të përmirësojë performancën e Auditorit të Përgjithshëm dhe  stafit të Zyrës Kombëtare të Auditimit gjatë sigurimit të informacionit në lidhje me shpenzimet publike për publikun e gjerë përmes rrjeteve sociale.

Në këtë trajnim morën pjesë 23 zyrtarë të ZKA-së.

Si pjesë e projektit “Verifikimi i fakteve për media të përgjegjshme” mbështetur nga Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme norvegjeze dhe e menaxhuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqërinë Civile (KCSF) në partneritet me organizatën Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA), BIRN Kosova organizoi 8 trajnime dyditore me media lokale.

Përfitues nga projekti ishin mediat nga Prizreni, Mitrovica Jugore dhe Veriore, Gjilani, Gjakova dhe Ferizaj.

Në kuadër të këtij projekti u organizuan edhe 2 trajnime dyditore me studentë të universiteteve publike dhe kolegjeve private, përfshirë Universitetin e Prishtinës,  Kolegjin AAB dhe Kolegjin UBT.

82 studentë dhe 28 individë nga mediat lokale përfituan nga këto trajnime.

Pjesëmarrësit u trajnuan për verifikimin e fakteve, raportimin e saktë në gazetari, gazetarinë hulumtuese të bazuar në Standardet Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve (IFCN), hulumtimet e  thella televizive, hulumtimet e bazuara në kallxues, KRYPOMETËR, etikë në gazetari, raportim të së vërtetës, privatësisë, të drejtave të autorit dhe mbrojtjen e burimeve.

Në kuadër te projektit “Për një komunitet të qëndrueshëm”, i mbështetur nga GCERF, në vitin 2019 BIRN Kosova ka mbajtur 4 trajnime me gazetarë dhe studentë të universiteteve në komuna të ndryshme të Kosovës, përfshirë Mitrovicën, Ferizajn, dhe Prishtinën.

Në Prishtinë në trajnimin e parë morën pjesë 24 gazetarë, kurse në trajnimin e dytë 17.

Në Ferizaj u trajnuan 17 gazetarë ndërsa në Mitrovicë 37 pjesëmarrës patën rastin të trajnohen lidhur me radikalizëm, raportim të rasteve të ekstremizmit të dhunshëm, gazetari hulumtuese dhe etikën e gazetarisë.

Trajnimet u mbajtën në universitetet publike të komunave të lartpërmendura.

112 të trajnuar nga Internews Kosova

Gjatë vitit 2019, Internews Kosova ka organizuar në total 12 trajnime me 112 pjesëmarrës.

Gjatë 12 muajve u organizuan 5 trajnime dyditore dhe 7 trajnime individuale me prokurorë, përfshirë këtu edhe zyrtarë të informimit nga prokuroritë.

Internews Kosova, në bashkëpunim me UNDP, mbajti një trajnim dyditor në anë të projektit “SAEK II – Përkrahje për përpjekjet kundër korrupsionit në Kosovë” në Pejë më 29 dhe 30 nëntor në lidhje me rolin e prokurorisë dhe  marrëdhëniet me publikun duke përdorur mediat.

Pjesë e aktiviteteve të këtij projekti ishte edhe trajnimi individual i prokurorëve, dhe zyrtarëve për media nga prokuroritë e komunave të ndryshme të Kosovës.

Më 11 dhjetor 2019, Internews Kosova mbajti trajnime individuale në Prokurorinë Themelore të Pejës, ku u trajnuan 3 prokurorë, dhe 1 zëdhënës.

Kurse më 13 dhjetor 2019, Internews Kosova mbajti trajnime individuale në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, ku u trajnuan 2 prokurorë dhe një zyrtar për informim.

Në anën tjetër, në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve të nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme, dhunti dhe talente të veçanta në fushën e gazetarisë hulumtuese”, i mbështetur nga  Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Internews Kosova ka mbajtur 4 trajnime me nxënës të shkollave të mesme.

Përfitues nga projekti për këtë vit ishin nxënës nga Mitrovica e Jugut, Ferizaj, Prizreni dhe Gjilani.

Në total 73 nxënës nga komunat e lartpërmendura, 17 nga Mitrovica, 18 nga Ferizaj, 18 nga Prizreni dhe 20 nga Gjilani, patën rastin të mësojnë lidhur me bazat e gazetarisë, shkathtësitë e shkrimit gazetaresk, gazetarinë televizive, hulumtuese dhe etikën e gazetarisë.

Trajnimet dhe vizitat studimore u bënë në zyrat e KALLXO.com, ku nxënësit panë për së afërmi procesin e punës së një redaksie mediale.

Më 17 dhe 18 tetor, BIRN dhe Internews Kosova trajnuan të rinj nga Prizreni për gazetari hulumtuese, trajnim i cili u mbajt në mjediset e American Corner në Prizren.

Trajnimi ka përfshirë 11 sesione gjatë të cilave janë diskutuar tema të ndryshme të gazetarisë hulumtuese si: format e raportimit dhe monitorimit, ndërtimi i kredibilitetit në publik për mediat që luftojnë korrupsionin, të folurit në publik dhe para kamerës, raportimi përmes analizuesit të fakteve dhe tema të tjera.

19 pjesëmarrës të rinj nga Prizreni- 12 vajza dhe 7 djem- përmes këtij trajnimi kanë ngritur kapacitetet e tyre.

Aktivitete të tjera të BIRN

Përveç trajnimeve, BIRN Kosova këtë vit ka kontribuar edhe në mbështetjen e fuqizimit të gazetarisë hulumtuese në Kosovë.

20 bursa i janë ndarë 20 gazetarëve kosovarë përmes projektit “Kontribut në forcimin e gazetarisë së pavarur, hulumtuese dhe të dobishme për publikun, si dhe në lirinë e shprehjes në Kosovë”, të financuar nga Bashkimi Europian,

BIRN dhe AJK kanë mbështetur gazetarët duke rritur kapacitetet e tyre financiare dhe duke i mbështetur ata për të prodhuar produkte mediale  me cilësi të lartë, të pavarur, analitike dhe me përfitim publik.

Po ashtu, përmes këtij projeti 32 nëngrante janë ndarë për gazetarë, media individuale dhe grupe/OJQ.

Këtë vit, BIRN-i  ka hapur një program praktike ku 23 studentë të gazetarisë mbajtën praktikë prej 1 deri në 3 muaj në zyret e BIRN dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Gjithashtu, dy nga grantistët e BIRN fituan çmime nga Organizata ÇOHU për raportimet më të mira për ambientin.

Vendin e parë e fitoi gazetari Besnik Krasniqi nga “Koha Ditore”, ndërsa të dytin gazetarja nga RTK, Edona Musa, me storje të cilat u realizuan si pjesë e këtij projekti.

Fituesja e çmimit të tretë ishte gazetarja e KALLXO.com, Drenushë Ramadani.

Në kuadër të projektit “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe përgjegjshmërinë e institucioneve publike të Kosovës”, i cili është financuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, BIRN Kosova organizoi 5 debate si pjesë e komponentit që shikon përputhjen e institucioneve me rekomandimet e Raporteve të Auditorit të Përgjithshëm.

Këto debate u mbajtën në komunat e Ferizajt, Malishevës, Podujevës, Mitrovicës Jugore dhe Rahovecit me qëllim prezantimin e analizës së BIRN të Kosovës mbi suksesin e rekomandimeve të implementimit të bëra nga Auditori.

Debatet u mbajtën në asambletë komunale dhe u transmetuan drejtpërdrejt nga KALLXO.com.

Gjithsej 150 persona morën pjesë në këto debate përfshirë qytetarë nga komuna, Zyra Kombëtare e Auditimit dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Aktivitete të tjera të BIRN Kosova gjatë vitit 2019 përfshijnë gjithashtu publikimin e 7 raporteve si ai i monitorimit të taksave, shpenzimet komunale, proceset e rekrutimit të pozitave të larta drejtuese, 2 raporte për integritetin e Administratës Tatimore, prokurimin komunal dhe raportin për monitorimin e gjykatave.

Viti 2019 në KALLXO.com, Jeta në Kosovë dhe Drejtësia në Kosovë

60 emisione televizive dhe mbi 27 mijë artikuj online u publikuan nga produktet mediale të BIRN dhe IKS, “Jeta në Kosovë, “Drejtësia në Kosovë” dhe KALLXO.com.

Gjatë këtij viti, dy organizatat bënë edhe mbulimin tradicional të zgjedhjeve me një seri debatesh #DebatPernime.

BIRN dhe Internews Kosova filluan aktivitetet për monitorimin dhe debatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare duke organizuar 5 debate fillestare me kandidatët për deputetë, të cilat u transmetuan drejtpërdrejt në KALLXO.com.

Para serisë së debateve me kandidatët për kryeministër në programin televiziv “Jeta në Kosovë” u organizuan 3 debate me ish-ministrat për politikën e jashtme dhe sigurinë,  ekonominë dhe financat dhe arsimin.

Më 6 tetor 2019,  71 persona nga stafi i BIRN Kosova dhe Internews Kosova ishin duke monitoruar zgjedhjet e 6 tetorit dhe raportuan vazhdimisht nga terreni.

Ekipi gazetarëve dhe redaktorëve të IKS dhe BIRN ishin vazhdimisht aktivë gjatë fushatës, zgjedhjeve dhe ditës së zgjedhjeve dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, BIRN dhe I / KS publikuan në total 517 artikuj në platformën online KALLXO.com.

Gjatë fushatave elektorale, BIRN Kosova monitoroi nga afër shkeljen e rregullave dhe ligjeve të fushatave elektorale të partive, kështu që ishte në kontakt të vazhdueshëm me Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Plot 155,100 euro është shuma të cilën e ka inkasuar buxheti i Republikës së Kosovës si rezultat i 109 ankesave të Zyrës Ligjore të KALLXO.com, kundër partive politike të cilat thyenin rregullat zgjedhore në zgjedhjet e fundit.

Në nëntor të këtij viti pas fatkeqësisë natyrore që goditi Shqipërinë, BIRN Kosova dhe IKS hapën një databazë të dhënash për të ndihmuar organizimin e rrjetit të ndihmave të premtuara dhe të mbledhura në Kosovë dhe gjetiu për familjet që vuajtën gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 nëntor 2019.

Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikimit të Fakteve, IFCN, i ka vazhduar verifikuesit të fakteve KRYPOMETRI, të BIRN dhe I/KS licencën për të operuar pas një vlerësimi të kujdesshëm të punës së këtij produkti. Sipas IFCN raportimi i KALLXO.com duket se është në përputhje me parimet e drejtësisë, paanshmërisë politike dhe aktualitetit.

Në maj të vitit 2019, Internews Kosova, me partnerin e saj kryesor BIRN Kosova, publikuan Raportin e 13-të Monitorimit të Gjykatave të Kosovës.

Për të mësuar më në detaje punën hulumtuese të gazetarëve të KALLXO.com dhe impaktet që patën këto hulumtime klikoni në linkun më poshtë:

Raportimet e KALLXO.com që ndëshkuan abuzimin dhe krimin