Burimi - BBC

Mbi 50 policë britanikë të lënduar në trazira

“Rrugaçët”, të cilët udhëtuan drejt Southportit për t’i përdorur vdekjet e tre fëmijëve “për qëllime të tyre politike” duhet të fajësohej për dhunën që la të lënduar dhjetëra zyrtarë policie, ka thënë një deputet i këtij qyteti, raporton BBC.

Trazirat shpërthyen në këtë qytet disa orë pas homazheve për viktimat e sulmit me thikë të hënën në një shkollë vallëzimi, ku mbetën të vdekura tri vajza të vogla dhe tetë fëmijë të tjerë u plagosën.

Patrick Hurley ka thënë se trazirat që ndodhën afër një xhamie, ku policia u gjuajt edhe tjegulla dhe një makine policie iu vu flaka, kanë qenë “të tmerrshme”.

Chris McGlade nga Federata Policore e Merseyside, ka thënë se më shumë se pesëdhjetë policë u lënduan në trazira ku kishte “një sulm vicioz dhe të gjatë”.

Policia britanike ka bërë të ditur se në dhunë ishin përfshirë edhe përkrahësit e Lidhjes së Mbrojtjes Angleze.

Hurley ka thënë për BBC-në se “trazirat u udhëhoqën prej njerëzve jashtë qytezës”. Ai ka thënë se banditët përdorën vdekjen e tre fëmijëve “për hesape të veta politike”.

McGlade nga policia britanike ka thënë se kolegët e lënduar janë “policë të guximshëm”, të cilët po mundoheshin vetë t’ia dilnin përballë me “tragjedinë e paimagjinueshme” të sulmit të së hënës.

“Unë i dënoj fuqimisht aksionet e këtyre rrugaçëve të krisur dhe të dhunshëm – dhe ata do të sillen para drejtësisë për veprimet e tyre”, ka shtuar ai./BBC

Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com