Mbi 50 aksidente e afro 1,600 gjoba për shkelje të rregullave të trafikut

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1,590 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut.

Ndërsa, në të njëjtën kohë, ka ndodhur një aksident me 1 të vdekur, 19 aksidente me të lënduar dhe 35 aksidente me dëme materiale.

Aksidenti me fatalitet ka ndodhur mbrëmë në Vushtrri, ku viktimë është një biçiklist, i cili si pasojë e goditjes nga një veturë ka mbetur i vdekur në vend.

Një aksident me të lënduar ka ndodhur në Gjilan dje rreth orës 9:00. Aksidenti dyshohet se ka ndodhur kur shoferi nga pakujdesia ka humbur kontrollin mbi veturën dhe është rrokullisur. Lëndime ka pësuar vetëm shoferi.

Aksidente me të lënduar kanë ndodhur edhe në Klinë të Epërme të Skenderajt dje rreth orës 5:50, ku janë lënduar shoferët e dy veturave të përfshira, si dhe në Çubrel rreth mesditës, kur një shofer ka humbur kontrollin mbi veturën dhe është rrokullisur. Lëndime trupore ka pësuar shoferi dhe dy pasagjere.