Mbi 5 mijë gjilanas janë vaksinuar deri më tani kundër COVID-19

Deri më tani në Gjilan janë vaksinuar 5 mijë e 654 qytetarë me vaksinën kundër coronavirusit, kanë njoftuar nga Komuna e Gjilanit.

Sipas Komunës, deri më tani procesi i vaksinimi në Gjilan ka shkuar “pa vonesa dhe pa tollovi”

““Pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 21632 mostra, 6439 kanë rezultuar pozitivë, 6283 janë shëruar, 146 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 10 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 2 persona, dhe 25 mostra në pritje për  rezultat”, thuhet tutje në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Në anën tjetër në nivel vendi janë vaksinuar 118 mijë e 538 qytetarë, ndërsa 15 mijë e 93 prej tyre janë vaksinuar edhe me dozën e dytë të vaksinimit.

Fushata e vaksinimit në Kosovë ka filluar me 29 mars 2021.

Në fund të muajit qershor pritet të vijë kontigjenti i parë me vaksina kundër COVID-19 nga kontrata e nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanis ‘Pfizer’.