ilustrim

Mbi 5.2 milionë euro pagesa me gjykatë për shpronësime

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm bën të ditur se përmes vendimeve gjyqësore për shpronësime në vitin e kaluar, në emër të dikasterit qeveritar të ambientit ishin ekzekutuar pagesa direkte nga Thesari në vlerë 5,202,252 euro.

Sipas raportit, për gjashtë raste përmbaruesi i mori ministrisë mbi 45 mijë euro.

“Ministria paguan vazhdimisht shpronësime përmes vendimeve gjyqësore. Kjo, për shkak se pronarët që kanë qenë pjesë e procesit të shpronësimit, në rastet kur ata janë të pa kënaqur me vendimin përfundimtar të shpronësimit, kanë të drejtë të ankohen në gjykatë. Për gjashtë (6) raste të testuara të këtyre pagesave në shumë 3,673,391€, Ministria ka paguar 45,032€ shpenzime shtesë për procedura të përmbarimit”, thuhet në gjetjen e raportit.

Në mes tjerash, nga raporti auditorit mësohen shkaqet që ndikojnë në shpenzimet shtesë të përmbarimit pasi ka raste kur pala fiton kontestin dhe nuk e dërgon dokumentacionin e nevojshëm për pagesë në ministri por te përmbaruesi.

Tutje thuhet se mungesa e buxhetit për pagesën e të gjitha kërkesave të palëve të përfshira në shpronësime shkaktuan shpenzime shtesë të përmbarimit.

Kreut të Ministrisë ju rekomandua që të sigurohet që pas vendimeve gjyqësore të kompletohet dokumentacioni dhe të realizohet pagesa.

Përmes letër konfirmimit drejtuar Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Ministri Liburn Aliu, konfirmoj se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të vitit 2020 të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.