Ilustrim: Gaza, Foto: UNRWA/facebook

Mbi 43,000 palestinezë të vrarë në luftën njëvjeçare në Gazë

Më shumë se 43 mijë palestinezë, mbi gjysma gra dhe fëmijë, janë vrarë deri tani në luftën njëvjeçare në Rripin e Gazës, tha të hënën Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Kjo shifër përfshin edhe 96 të vdekurit që u dërguan në spitalet e Gazës në dy ditët e fundit, tha kjo Ministri, e cila udhëhiqet nga Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ushtria izraelite e ka kryer një operacion në veri të Gazës, përfshirë ndaj një spitali, gjatë kësaj fundjave. Ushtria tha se i arrestoi 100 militantë të dyshuar të Hamasit gjatë bastisjes në spitalin “Hamal Adwan” në Beit Lahiya, të premten.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e akuzoi Izraelin se i ka arrestuar 44 pjesëtarë burra të stafit të spitalit.

Zyrtarët mjekësorë palestinezë thanë se spitali, ku po mjekoheshin rreth 200 pacientë, u dëmtua shumë nga sulmi.

Izraeli i ka sulmuar disa spitale në Gazë gjatë luftës njëvjeçare, duke thënë se Hamasi dhe militatë të tjerë i përdorin ato për qëllime ushtarake. Zyrtarët mjekësorë palestinezë i mohojnë këto akuza dhe e akuzojnë ushtrinë se po i rrezikon civilët.

Ushtria izraelite u ka bërë thirrje palestinezëve të largohen nga veriu i Gazës, ku është duke e kryer një ofensivë të madhe tash e tri javë.

OKB-ja tha në fillim të këtij muaji se të paktën 400.000 njerëz ndodhen në veriun e Gazës dhe se kriza e urisë është rritur, pasi sasitë e ndihmës humanitare janë pakësuar në muajin e fundit në këtë pjesë të vendit.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se të paktën 43.020 njerëz janë vrarë dhe 101.110 të tjerë janë plagosur prej se nisi lufta më 7 tetor 2023. Ajo nuk tregoi sa ishin civilë e sa militantë.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit filloi pasi militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare në jug të Izraelit dhe u futën vrullshëm matanë kufirit, duke i vrarë rreth 1.200 njerëz – kryesisht civilë – dhe duke i rrëmbyer 250 të tjerë./REL