Eksporti - Foto: REL/EPA
Mbi 418 milionë euro deficiti tregtar në muajin qershor 2022
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 30.5 për qind në muajin qershor të sivjetmë në raport me muajin e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 418.1 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 320.4 milionë eurosh. Eksporti mbulon importin me 15.1 për qind.
Rreth 500 milionë euro është importi i mallrave në raport me eksportin i cili ka në vlerë shumë herë më të vogël.
“Eksporti i mallrave në muajin qershor 2022 kishte vlerën 74.6 milionë euro, ndërsa importi 492.8 milionë euro, që është një rritje prej 2.4% për eksport dhe 25.3% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”, thuhet në komunikatë.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24.3 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 18.6 për qind, të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 14.7 për qind, të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.6 për qind, të eksporteve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 7.5 për qind, të eksporteve e përbëjnë produktet minerale; 4.2 për qind, të eksporteve e përbëjnë artikujt prej guri, allçie, prodhimet e qeramikës dhe qelqit, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.4 për qind të importeve e përbëjnë produktet minerale, 12.8 për qind, të importeve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.4 për qind, të importeve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.3 për qind, të importeve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 7.5 për qind, të importeve e përbëjnë mjetet e transportit, 7.4 për qind, të importeve e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre, 6.8 për qind, të importeve e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj.
Mbi 192 milionë euro importi nga vendet e BE-së
Në raportin e ASK thuhet se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 24.0 milionë euro, ose rreth 32.2 për qind, e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2.4 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania 9.0 për qind, Itali 5.3 për qind, Holanda 3.6 për qind, etj.
Nga importi mbi 192 milionësh pjesëmarrje më të lartë pati Gjermania
“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 192.4 milionë euro, ose 39.0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.0%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (10.7%), Greqia (5.7%), Italia (4.3%), etj.”, thotë ASK.
Serbia dhe Maqedonia e Veriut lënë para Shqipërinë në importin e Kosovës
Në shkëmbimin tregtar të mallrave me vendet anëtare të CEFTA-s, në muajin qershor 2022. eksportet e Kosovës arritën në 28.2 milionë euro, ose 37.8 për qind, të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -2.8 për qind.
Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut 13.4 për qind, Shqipëria 12.0 për qind, Serbia 5.8 për qind, dhe Mali i Zi 5.0 për qind.
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 92.8 milionë euro, ose 18.8 për qind, të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17.7 për qind.
Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%) dhe Shqipëria (5.0%).
Kosova pati shkëmbime tregtare edhe me vendet e tjera të botës. Eksportet arritën në 22.3 milionë euro ose 29.9 për qind me partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden: SHBA 13.8 për qind dhe Zvicra 7.7 për qind.
Nga importi mbi 200 milionësh nga vendet e tjera të botës, prinë Turqia
“Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 207.4 milionë euro, ose 42.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.1%) dhe Kina (9.7%).”, thuhet në njoftim.
Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e raportit lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor 2022.