Mbi 405 mijë euro është shuma e pensioneve dhe ndihmave sociale të paguara për personat e punësuar

Mbi 405 mijë euro është shuma e parave që u paguan për pensione dhe ndihma sociale, personave të cilët ishin të punësuar apo realizonin të ardhura.

“Nga krahasimi i të dhënave të MFPT-së për skemat pensionale dhe ndihmat sociale me të dhënat e ATK-së, kemi vërejtur se ekzistojnë raste të përfitimit të pensioneve apo ndihmave sociale nga persona të cilët punojnë apo realizojnë të ardhura personale. Vlera e gabimit financiar për vitin 2021 ishte 405,313 euro”, thuhet në gjetjen e raportit.

Megjithëse ministria në baza mujore bën krahasimin e të dhënave të shfrytëzuesve të ndihmës sociale me të dhënat e tatimpaguesve në ATK, për shkak të deklarimit të vonuar të punëtorëve nga punëdhënësit në ATK, në mënyrë retroaktive, proces i cili është jashtë kontrollit të ministrisë, kanë ndodhur pagesat për përfituesit që janë të punësuar.

Sipas informatave nga ministria, 122 familje kishin kthyer pagesat e ndihmës sociale, ndërsa për katër raste është inicuar procedurë gjyqësore për kthimin e pagesës.

Përfitimi i pensioneve nga personat e punësuar dhe mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave sipas auditorit shkakton pagesa të parregullta, duke dëmtuar kështu buxhetin e ministrisë.

Auditori tregon se sipas Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, pensionet e parakohshme “Trepça” ndërpriten së paguari, nëse personi punësohet apo vetëpunësohet.

Më tutje, sipas Ligjit për veteranët e UÇK-së – Veteranët e UÇK-së të cilët janë të punësuar në sektorin publik dhe privat nuk kanë të drejtë të përfitimit të pensionit, si dhe sipas Ligjit për skemën e ndihmës sociale ndalon të drejtën për ndihmë sociale për persona të punësuar. Sipas ligjeve përkatëse të skemave pensionale dhe rregullave të aplikueshme, pensionet duhet të ndalen pas vdekjes së përfituesve.

Rekomandimi i Auditorit ishte që të analizohet në thellësi kjo çështje dhe të shqyrtohet mundësia e kthimit të mjeteve.

“Ministri duhet të analizojë në hollësi çështjen e pagesave më sipër dhe të shqyrtoj mundësitë për kthimin e tyre nga shfrytëzuesit në llogarinë e buxhetit. Gjithashtu duhet të siguroj forcimin e kontrolleve të brendshme përmes komunikimit në kohë reale në mes të regjistrave me regjistrin civil, të bëj krahasime sistematike të listave të përfituesve me informatat e marra nga ATK dhe regjistrit civil, si dhe të krijoj një komunikim më efektiv ndërmjet data bazave të skemave pensionale”, rekomandon raporti.

Nga menaxhmenti i ministrisë janë pajtuar me gjetjen e raportit.

Për më tepër, nëpërmjet letrës së konfirmimit, të datës 26 maj 2022 nga ministri Hekuran Murati, është konfirmuar se e ka pranuar raportin dhe është pajtuar me gjetjet e raportit pa ndonjë koment për përmbajtjen e raportit të auditimit për “Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për vitin 2021”.