Parat e sekuestruara

Mbi 400 mijë euro u gjetën në shtëpinë e vëllait të drejtorit për pagesat direkte të AZhB-së

Çanta me mbi 400 mijë euro e cila është sekuestruar në Batllavë të Podujevës u gjet në shtëpinë e Salih Statovcit, i cili është vëllai i drejtorit të pagesave direkte në AZhB, Luan Statovci.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Salih Statovci nuk ka qenë i dyshuar në këtë rast, mirëpo gjatë vëzhgimeve dhe hetimeve është kuptuar se ai ka bashkëpunuar dhe ka qenë person kontaktues në teren.

Kjo ka mjaftuar që shtëpia e tij të kontrollohet dhe gjatë kontrollit të sekuestrohen 406 mijë euro, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira dhe një veturë “Toyota”.

Sipas Prokurorisë Salih Statovci dyshohet se i ka ndihmuar vëllait të tij Luanit që t`i fsheh provat, konkretisht paratë e marra ryshfet.

Madje Prokuroria pretendon se drejtori Luan Statovci gjatë përgjimeve është dëgjuar duke thënë se ka në posedim shumën prej 600 mijë eurove.

Drejtori i pagesave direkte Luan Statovci është personi më i përmendur në dosjen e Prokurorisë, madje në zyrën e tij ishin vendosur përgjues të cilët sipas Prokurorisë janë shfrytëzuar për mbledhjen e provave.

Në dosjen të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se në zyrën e përgjuar të Luan Statovcit përpos që është diskutuar për marrjen e ryshfetit nga aplikuesi V. K., janë thurur edhe plane për të marrë ryshfet gjatë vitit 2021.

Madje sipas Prokurorisë të dyshuarit Berat Nika dhe Hasan Maxharraj janë dëgjuar tek bëjnë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet shuma të parave prej 25 mijë eurove për aplikues.

Përpos Luan dhe Salih Statovcit të arrestuar deri me tani janë edhe zyrtari i pagesave direkte Sadat Shkodra, zyrtari për zhvillimin e bujqësisë në Istog, Hasan Maxharraj, zyrtari i pagesave në AZhB Berat Nika, zyrtari për politika në Istog Kushtrim Zogaj dhe inspektorja e AZhB-së Adushe Ukshini.

Prokuroria pretendon se ka siguruar prova të fuqishme në këtë rast madje ka siguruar fotografi dhe inçizime të momenteve të dorëzimit të parave.

Pos tjerash prokuroria pretendon se ka arritur të siguroj prova ku shihet se Adushe Ukshini e cila është inspektore në AZhB ka pranuar shuma të ndryshme si ryshfet dhe të njëjtat shihet duke ia dërguar drejtorit Luan Statovci dhe duke i ndarë me vete.

Aktualisht njëmbëdhjetë të arrestuarit e këtij rasti janë paraqitur para gjykatës dhe po përballën me kërkesën e prokurorisë për paraburgim.

Dy ditë më parë ata u arrestuan gjatë një aksioni të madh policor në disa lokacione duke përfshirë edhe Ministrinë e Bujqësisë.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar rreth 433.160 euro, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë.

Bastisje të mëdha u zhvilluan edhe gjatë ditës së djeshme në disa qytete të Kosovës ku cak ishin bujq të ndryshëm të cilët kishin përfituar subvencione.

Gjatë këtij aksioni u arrestuan edhe nëntë persona.

Prokuroria: Të dyshuarit për ryshfet me subvencione e mashtruan edhe njëri tjetrin