Shkolla "Mihal Grameno" në Fushë-Kosovë. Foto: Kallxo.com

Mbi 40 nxënës në një klasë të shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë

Ndërtimi i objekteve të banueshme dhe rritja e numrit të banorëve në Fushë Kosovë ka rritur numrin e nxënësve nëpër klasa. Mesatarja e nxënësve në një klasë të shkollës fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë është 44 – 45 nxënës.

Klasa ku e vijon mësimin fëmija i Lumnie Veliut ka gjithsej 44 nxënës. Ajo është shprehur e shqetësuar për shkak se sipas saj numri i madh i nxënësve po e bën edhe mësimin joefikas.

“Zhurma, parregullsitë e shumta, notimi dhe pamundësia e mësimdhënësve qe t’i përfshijë të gjithë nxënësit në aktivitete të ndryshme janë probleme që duhet të merren seriozisht nga drejtoria, si ajo e shkollës ashtu edhe ajo komunale”, është shprehur Veliu.

Sipas saj, në një klasë nuk duhet të ketë më shumë se 20 nxënës, në mënyrë që mësimi të jetë më efektiv për nxënësit.

Ndërtimi i një numri të madh të objekteve të larta të banueshme në Fushë Kosovë, sipas drejtorit të shkollës “Mihal Grameno”, Ismet Gashi, po ndikon në rritjen e dukshme të numrit të banorëve.

“Kjo po shpie në rritje të dukshme të banorëve në këtë zonë dhe se fluksi më i madh i nxënësve është shënuar viteve të fundit”, ka thënë Gashi.

Shkolla “Mihal Grameno” së bashku me objektin e dytë kanë 3400 nxënës dhe 120 mësimdhënës, respektivisht 2100 në objektin e parë dhe 1300.

Drejtori Gashi ka thënë se objekti i dytë shënon një numër rekord për sa i përket paraleleve të klasave të para ku gjithsej janë regjistruar nga 13 paralele për dy vite rresht.

Në komunën e Fushë Kosovës vijojnë mësimin rreth 8600 nxënës, duke përfshirë edhe çerdhen publike.

Elmie Zymberi nga drejtoria e Arsimit në Fushë Kosovë, ka thënë se drejtoria është në dijeni lidhur me problemin e mbingarkesës më nxënës dhe se deri më tani janë marrë masat për ndërtimin e një shkolle të re e cila përkohësisht do të jetë në kuadër të shkollës “Mihal Grameno”.

“Kjo shkollë pritet të ndërtohet në “Rrugën e Uglarit” ku kapaciteti i saj do të jetë rreth 1500 nxënës, po ashtu funksionalizimi i saj pritet të fillojë në muajin shtator të këtij viti ku pastaj do bëhet ri-organizimi i nxënësve dhe stafit nëpër shkollat e kësaj komune”, ka thënë Zymberi.

Numri i madh i nxënësve në një klasë ka vështirësuar edhe mbajtjen e procesit të mësimit gjatë pandemisë. Drejtori i shkollës “Mihal Grameno”, Ismet Gashi ka thënë mësimi online nuk ka qenë efektiv aq sa duhet për shkak të numrit të madh të nxënësve.

Ai tha se janë detyruar të rikthehen në shkollë dhe t’i ndajnë klasat me numër të barabartë të nxënësve, në mënyrë që mësimi të zhvillohet me dy ndërrime.

Mësimi në ndërrimin e parë është zhvilluar nga ora 08:00 – 10:15 dhe në ndërrimin e dytë nga 10:30 – 12:45. Nxënësit kanë mbajtur nga katër orë, ku një orë ka zgjatur 30 minuta.

Autori Dion Ejupi është nxënës i gjimnazit “Hivzi Sylejmani” në Fushë Kosovë.