Mbi 4 milionë euro gjoba për 14 kompani të derivateve

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka gjobitur me mbi 4 milionë euro 14 kompani të derivateve të naftës për çrregullim të konkurrencës në treg gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.

“AKK me 6 maj 2020 ka vendosur t’iu shqiptojë masë ndëshkuese administrative në shumë prej 4,040,450.78 të totalit të të hyrave gjatë 6 mujorit viti 2018 të 14 kompanive nën hetim”, thuhet në vendimin e AKK-së.

Kompanitë e derivateve të cilat janë gjobitur janë: NTP Ibrahimi – 33,640 euro, Patroni – 38,276 euro, Veda 2 – 46,531  euro, Alba Petrol – 49,293  euro, Lab Oil – 55,175  euro, Benita Company – 58,450 euro, Fat Oil – 101,169 , Petrol Oti Slovenia – 117,875 euro, Petrol Company – 191,535  euro, Alfa Trade ShPK – 213,782 euro, Ipkos 498,338 euro, EXFIS – 537,899 euro, Al Petrol – 989,493 euro dhe HIB Petrol – 1,108,988 euro.

Pas përfundimit të të gjitha fazave të hetimit, AKK ka vendosur se me veprimet e tyre kompanitë kanë kryer shkelje të dispozitave të nenit 4 të Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, i cili i rregullon marrëveshjet e ndaluara apo praktikat e bashkërenduara.

AKK i ka urdhëruar kompanitë në procedurë që të ndalojnë çdo veprim të mëtutjeshëm i cili ka të bëj me përcaktimin e çmimeve në mënyrë të bashkërenduar nëpërmjet çfarëdo marrëveshje apo bashkëpunimi tjetër joformal i cili shkon në dëm të konsumatorit si dhe çdo aktivitet biznesor që e çrregullon konkurrencën në tregun përkatës.

Nga të gjitha rastet e hetuara ka marrë dy vendime liruese për kompanitë, Blu Oil ShPK dhe Kastrati Group ShPK, kjo ka ndodhur meqë gjatë shqyrtimit të fakteve është vlerësuar se nuk ka argumente për të vazhduar më tutje procedurën hetimore, pasi që këto ndërmarrje nuk kanë shitur derivate me pakicë por vetëm me shumicë.

Hetimi lidhur me këtë rast ka filluar në fillim të vitit 2019, kur ishin ngritur dyshimet se operatorët e shitjes me pakicë të derivateve të naftës nuk kishin reflektuar në mënyrë individuale me rastin e caktimit të çmimeve gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 2018.

“Atëherë dominonte dyshimi se çmimi i derivateve në tregun e Kosovës kishte mbetur njëjtë përkundër uljes së çmimit në berzën ndërkombëtare. Deri më tani hetimi i këtij rasti është bërë në disa faza”, ka thënë Valon Prestreshi, kryetari i AKK-së në një konferencë për media ku u bë publik vendimi.

Ai ka thënë se ankesat kundër këtij vendimi në kuadër të Autoritetit nuk lejohet por pala ka të drejtë me padi të iniciojë konflikt administrativ brenda 30 ditëve.

“Nëse iniciohet konflikti administrativ atëherë shkojnë përmes procedurave gjyqësore, nëse jo, atëherë pas 30 ditëve vendimi bëhet i plotfuqishëm”, ka theksuar Prestreshi.

Prestreshi ka treguar se ka edhe rrethana lehtësuese për kompanitë e gjobitura pasi nuk kanë qenë më herët të ndëshkuara.

“Kemi vendosur përqindjen, nuk do të doja ta bëj publike sepse do të merret vesh edhe qarkullimi vjetor”, ka përfunduar Prestreshi.

KALLXO.com në fund të vitit 2018 kishte raportuar në lidhje me dyshimet për fiksimin e çmimit të naftës.

Çmimet e naftës në bursën ndërkombëtare kishin rënë për 40 për qind nga fillimi i muajit tetor 2018, por kjo nuk ishte reflektuar në tregun e Kosovës.

Ulja e ngadalshme e çmimit të naftës e kishte alarmuar Autoritetin e Konkurrencës, i cili dyshoi për marrëveshje në mes të naftëtarëve për mbajtjen e çmimeve në nivel të lartë.