
Mbi 34 mijë vizitorë frekuentuan hotelet në Kosovë në muajin nëntor 2022
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në muajin nëntor të vitit 2022, numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj që kanë qëndruar nëpër hotele janë 34 mijë e 659 persona. Prej tyre, 33.69 për qind kanë qenë vendorë dhe 66.31 për qind të huaj.
Ndërsa, numri i netë-qëndrimeve ishte 51.896, prej tyre 31.67 për qind nga vendorët dhe 68.33 për qind nga të huajt.
Këto rezultate u nxorrën nga anketimi i 209 hoteleve që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.
Në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2021, numri i vizitorëve dhe netët e qëndrimit janë më shifra më të larta. Në muajin nëntor 2021, të dhënat thonë se në hotelet u vizituan nga 31,036 vizitorë dhe 49,281 netë-qëndrime.
Në muajin nëntor të vitit 2022, numrin më të madh të vizitorëve dhe netë-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 17,863 vizitorë dhe 24,403 netë-qëndrime.
Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë e kështu me radhë. Kurse, sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh i tyre ishte nga Shqipëri, Gjermania, Zvicra etj.
Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e anketës “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për muajin nëntor 2022”.