Mbi 309 milionë euro deficiti tregtar vetëm në muajin dhjetor 2020

Për muajin dhjetor 2020, në raport me muajin e njëjtë të vitit 2019, të dhënat nga tregtia e Jashtme të mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 0.3 për qind gjegjësisht në vlerë prej 309.2 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 308.3 milionë euro.  Kosova eksportoi më shumë metale bazë e artikuj prej tyre ndërsa importoi më tepër makineri dhe pajisje mekanike e elektrike. Eksporti i Kosovës arriti të mbuloi vetëm 13.1 për qind  importin.

Rreth 356 milionë euro importi në muajin dhjetor ndërsa vetëm rreth 47 milionë euro eksporte

Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2020 kishte vlerën 46.7 milionë euro, ndërsa importi 355.9 milionë euro, që është një rritje prej 73.6% për eksport dhe 6.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Sipas të dhënave të ASK-së,  në bazë grupeve kryesore të eksportit, 36.6 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 14.6 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 11.2 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 9.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 5.1 për qind e përbëjnë produktet minerale, 4.8 për qind e përbëjnë produktet bimore, 4.7 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndryshe nga eksporti, importin 15.4 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 13.5 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 10.7 për qind e përbëjnë produktet minerale, 10.4 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 10.1 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 7.5 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike, 5.6 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Rreth 13 milionë euro mallra drejt BE-së dhe mbi 165 milionë euro prej tyre

Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian (BE) arritën në 12.9 milionë euro, ose rreth 27.7 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.6 për qind.

Gjermani me 8.9 për qind është partneri kryesor i eksporteve të Kosovës drejt BE-së pastaj renditet Italia me 6.1 për qind, Holanda 2.2 për qind, etj.

Kosova importoi mbi 165 milionë euro mallra nga BE-ja, prinë Gjermania 

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 165.2 milionë Euro, ose 46.4% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (14.0%), Italia (5.6%), Greqia (3.8%), Polonia (3.3%), etj.”, thotë komunikata.

Serbia prijëse e eksportit për në Kosovë

Me vendet e CEFTA-s, në muajin dhjetor, eksportet arritën në 23 milionë euro, ose 49.4 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 89.6 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria 30.7 për qind, Maqedonia e Veriut 9.5 për qind, Serbia 4.7 për qind, dhe Mali i Zi 3.2 për qind.

Në importin prej 69.2 milionë euro të Kosovës në muajin dhjetor, Serbia prijës në raport me vendet tjera të CEFT-as

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin dhjetor 2020, arritën në 69.2 milionë Euro, ose 19.4% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 67.6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.5%), Shqipëria (5.7%), dhe Maqedonia e Veriut (5.3%).”, bën të ditur komunikata.

Kosova eksportoi edhe në vendet e tjera të botës në vlerë 10.6 milionë euro, ose 22.9 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: Zvicra 8.5 për qind dhe SHBA 8.1 për qind.

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 121.5 milionë euro, ose 34.1 euro. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 11.7 për qind dhe Kina 10.0 për qind.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të diutra me publikimin e statistikave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2020.