
Mbi 3 milionë euro aneks-kontrata të negociuara për punë shtesë për rrugën Prishtinë-Podujevë
Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar mbi 3 milionë euro aneks-kontrata për punë shtesë për rrugën Prishtinë – Podujevë.
Tenderi është i ndarë në 5 LOT-e me vlerë totale të kontratave bazë prej 35 milionë eurove, të cilat ishin nënshkruar në qershor 2023. Aneks-kontratat janë nënshkruar përgjatë vitit 2024, për katër nga pesë LOT-et e tenderit bazë.
Një nga pesë kontratat bazë, ajo në vlerë prej 9.2 milionë euro i ishte dhënë kompanisë “Bageri”, për të cilën zv/ministri Hysen Durmishi kishte thënë se pronarin e kësaj kompanie e ka shok.
Në nëntor të vitit 2023, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për të ndarë 6 milionë euro shtesë për këtë rrugë dhe mjetet ishin marrë nga kontigjencat për shpenzime kapitale.
Në ndërkohë, zëvendësministri Hysen Durmishi është duke u hetuar zyrtarisht nga Prokuroria Speciale në lidhje me këtë tender, kurse ministri Liburn Aliu kishte reaguar duke thënë se ‘Durmishi është i pastër’.
Aneks-kontratat
Në aneks-kontratën për LOT-in 0 janë kontraktuar punët si: Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; muret mbrojtëse; dislokim të ujësjellësit; punë në kanalizim fekal; punë në ura dhe mbikalime. Aneks-kontrata është nënshkruar me 16.07.2024, atë e ka fituar konzorciumi “Pro&Co Group” dhe “Levantina Ingenieria”, ndërsa vlera e saj është 613 mijë e 977 euro. Ky konzorcium e kishte fituar edhe kontratën bazë.
Aneks-kontrata për LOT-in 1 është nënshkruar me 21.08.2024 dhe fitues i saj është kompania “2A Group”. Vlera e kësaj aneks-kontrate është 728 mijë e 166 euro.
Në këtë aneks janë kontraktuar punët si: Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; punët e betonit dhe armaturës; punët e ndriçimit; punë në kanalizim atmosferik dhe fekal; punë në hidroizolim; punë në asfalt; punimi i rrethojave të urës. Kjo kompani kishte fituar edhe kontratën bazë.
Por në këtë aneks-kontratë Ministria e Infrastrukturës ka harruar që të kontraktojë edhe shtrirjen e ziftit nëpër pozicionet e kontratës. Kjo pasi që në dhjetor të vitit 2024 kanë nënshkruar një tjetër aneks-kontratë vetëm për shtrirjen e ziftit nëpër këtë rrugë.
Aneks-kontrata e dytë e kishte vlerën e 70 mijë eurove, prapë me të njëjtën kompani.
Për LOT-in 2 të tenderit është nënshkruar një aneks-kontratë tjetër, në të cilën janë parashikuar të kryhen punë si Projektim i rrugës; Punët e gërmimeve dhe transportit dhe të ngjashme; punët ndërtimore në seksionin e rrugës; punët e betonit dhe armaturës; punë në kanalizim atmosferik dhe fekal; punët e ndërtimit dhe sinjalistikës.
Këtë aneks-kontratë e ka fituar kompania “Bageri” dhe vlera e saj është 853 mijë e 619 euro. Kontrata është nënshkruar me 16.07.2024. Edhe në këtë rast, kjo kompani kishte fituar kontratën bazë.
Kurse për LOT-in 3 të tenderit, janë nënshkruar dy aneks-kontrata për punë shtesë. Në aneksin e parë është kontraktuar për të kryer punë si: Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; pune mbikalimit urë; ndërtimi i mbikalimit për këmbësorë; punë në kanalizimin atmosferik; punët në ndriçim.
Aneks-kontratën e ka fituar konzorciumi “Agbes Construksion”; “Arbotec”; “Geo Construction”; “Minera” dhe “BM Group”. Vlera e saj ka qenë 575 mijë e 972 euro dhe është nënshkruar me 14.06.2025.
Ndërsa aneks-kontratën tjetër për këtë LOT, po ashtu e ka fituar i njëjti konzorcium, në vlerë 288 mijë e 418 euro. Kontrata është nënshkruar me 29.11.2024. Po ashtu, i njëjti konzorcium kishte fituar kontratën bazë.
Në këtë aneks ka qenë e parashikuar të kryhen punët si: Projektim i rrugës; punë ndërtimore në seksionin e rrugës; punë përgatitore; punë demoluese; punë tokësore; punë montuese; punët e betonit dhe armaturës.
Kurse aneks-kontrata e e fundit ka qenë për LOT-in 5 të tenderit. Në këtë aneks është kontraktuar të kryhen punë si Ndërtimi i rrugës; sinjalizimi vertikal; punët projektuese. Kontrata është fituar nga “Beni-Com” dhe e ka vlerën e 32 mijë e 404 eurove. Sikurse në aneks-kontratat tjera, edhe te ky LOT, kontratën bazë e kishte fituar e njëjta kompani.
Në total janë nënshkruar shtatë aneks-kontrata, me vlerë totale prej 3 milionë e 162 mijë e 556 euro.
Raportimet për rrugën
Në fillim të këtij viti, KALLXO.com kishte raportuar se si Ministria e Infrastrukturës është detyruar që të nënshkruajë dy aneks-kontrata për “lot”-in 1 të tenderit për rrugën Prishtinë – Podujevë, për shkak se kishte harruar që në pozicionet e aneks-kontratës së parë të vendosë edhe shtrirjen e ziftit për rrugën në fjalë.
Kurse në gusht të vitit 2023, KALLXO.com kishte zbuluar se kompanitë që kanë fituar kontrata nga Ministria e Infrastrukturës për të ndërtuar rrugën Prishtinë – Podujevë, rezultojnë se në të kaluarën kanë pasur gjoba të shqiptuara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), për nxjerrje ilegale të mineraleve.
Të dhënat e siguruara nga KPMM tregonin se kompanitë ndër vite janë gjobitur për nxjerrje ilegale të zhavorrit, gurit të fortë, rërës apo të reshpes.
Në anën tjetër, në maj të vitit 2024, zëvendësministri Hysen Durmishi ishte intervistuar si i dyshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pikërisht për tenderin e rrugës Prishtinë – Podujevë.
Ai para gazetarëve, pas intervistimit, kishte thënë se pyetjet e prokurorit kanë qenë “sqaruese”.
“… i sqarova të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë – Podujevë ka qenë i rregullt dhe atje po zhvillohen punimet me dinamikën të cilën e kemi planifikuar. Në njëfarë mënyre e sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces” – kishte thënë Durmishi para gazetarëve.
Në korrik të vitit 2023 në emisionin “Kallxo Përnime” ishte publikuar hulumtimi pikërisht për rrugën Prishtinë – Podujevë, në të cilin tregohej se si Hysen Durmishi kishte nënshkruar kontratat për këtë tender, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).