Mbi 3 miliardë euro kredi kanë kosovarët nëpër banka

Nëntori i vitit, 2021 i ka gjetur qytetarët kosovarë me miliarda euro kredi të papaguara.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në muajin nëntor 2021, shuma e kredive të qytetarëve ka arritur në 3 miliardë e 696 milionë euro nëpër bankat komerciale të Kosovës.

Nga këto, 1 miliard e 384 milionë janë kredi të dhëna për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 299 milionë eruo për korporatat jofinanciare si dhe për korporatat e tjera financiare, 6 milionë e 800 mijë euro.

Ndryshimi vjetor i kredive sipas BQK-së është 14.7 për qind. Ndryshimi vjetor më i madh është për ekonomitë familjare 17.5 për qind, pastaj për korporatat jo financiare 13.2 për qind si dhe për korporatat të tjera financiare është -12.9 për qind.

Ndërsa shuma e kredive që janë dhënë në valutën jo euro është 2.2 milionë.

Duke u bazuar në të dhënat e BQK-së, norma e interesit në kredi është 5.6 për qind.

Për ekonomitë familjare kjo normë është 6 për qind, prej të cilave konsumuese 6.4%  dhe hipotekare 4.8%.

Ndërsa për korporata jofinanciare është 5.4 për qind, prej të cilave, 4.4%, industriale 5.7% dhe shërbyese 5.2%.

Në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore janë 11 banka, ku 9 nga to janë në pronësi të huaj.

Këto banka në territorin e Kosovës kanë 198 njësi, si dhe kanë të punësuar 3 mijë e 497 punëtorë.

Këto të dhëna janë të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës në informatat mujore financiare, në raportin për muajin nëntor të këtij viti.