Mbi 3% e popullatës në Kosovë nuk kanë qasje në ujësjellësin publik

Raporti për ujërat në Kosovë për dy vitet e fundit, bën të ditur se në Kosovë mbi 3 për qind e popullatës nuk patën fare qasje në ujësjellësin publik. Ndërsa për të tjerët furnizimi me ujë të pijshëm u rrit, sasia kaloi 53 milionë metër kub në vit. Reshjet atmosferike që konsiderohen burim kryesor i ujërave, ndryshe nga viti 2020, ne vitin 2021 pati 2 ditë më pak reshje.

ASK njofton se mbi 3 për qind e popullatës nuk ka qasje në ujësjellësin publik

“Të dhënat e dala nga ky publikim tregojnë se në vitin 2020 rreth 96.84% e popullsisë së Kosovës ishte furnizuar më ujë të pijshëm nëpërmjet sistemeve publike, të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujit. Ndërsa, 3.16% e popullsisë nuk ka pasur qasje fare në shërbimet e ujësjellësit publik”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se furnizimi me ujë të pijshëm i ekonomive familjare ka pësuar ndryshime nga viti në vit. Në vitin 2021 furnizimi i ekonomive familjare me ujë të pijshëm ishte 53.13 milionë m³/vit, ndërsa në vitin 2020 ishte 50.7 milionë m³/vit.

Sasia ujit të shpenzuar nga ekonomitë familjare, të furnizuara me ujë nga sistemin publik, në vitin 2020 ishte 2.54 m³/në muaj dhe 0.08 m³ në ditë. Kurse, llogaritur në litra, 84.67 litra/ditë për banor.

Ndërkaq, uji i shpenzuar për ujitje, me sistem në bujqësi, në vitin 2021 ishte 56.89 milionë m³/vit. Ndërsa, sasia e ujit e përdorur për ujitje në bujqësi nga puset, për vitin 2021 ishte 20.80 milionë m³/vit.

2 ditë më pak reshje pati në vitin 2021

Nga ASK mësohet se vitin e kaluar, pati 126 ditë me të reshura atmosferike.

“Në vitin 2021 gjithsej ishin 126 ditë me të reshura atmosferike në Prishtinë, ndërsa në vitin 2020 me të reshura atmosferike ishin 128 ditë”, thuhet në njoftim.

Sipas ASK-së, në muajin janar 2021, numri i ditëve me të reshura mujore ishte 17 ditë, kurse në muajin gusht ishte 4 ditë.

Gjithsej reshjet mesatare vjetore në Kosovë në vitin 2021 ishin 809.1 mm/vit, ndërsa në vitin 2020, ishin 663.3 mm/vit.

Ndërkaq, temperaturat mesatare maksimale dhe minimale të ajrit në Prishtinë ishin 31.0°C /-0.7 °C në vitin 2021, krahasuar me vitin 2020 që ishte 28.9/-4.5°C.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit “Statistikat e Ujërave në Kosovë” për vitet 2020-2021.

Nga ASK thuhet se ky është publikimi i katërt me radh dhe  ofron të dhëna statistikore gjithëpërfshirëse të burimeve të ujërave në Kosovë dhe synon të kontribuojë në krijimin e një informacioni të qëndrueshëm mbi gjendjen e ujërave në Kosovë.

Realizimi i këtij publikimi bëhet çdo dy vjet. Burim kryesor i ujërave në Kosovë janë të reshurat atmosferike.