Mbi 3.5 milionë euro për një rrugë në Gjakovë

Mandati i kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini, kishte nisur me fokus në infrastrukturën e rrugëve.

Sot, Gjini bëri hapjen e një ceremonie të fillimit të punimeve të projektit që përfshin rrugën “Bujar Roka” deri tek Ura e Tabakëve.

Ai thotë se ky projekt ka një gjatësi prej mbi 2.7 kilometra dhe tejkalon koston financiare të vlerës 3.5 milionë euro.

“Asnjëherë nuk ka pasur vëllim kaq të madh të investimeve, e këto nuk kishim mundur t’i realizojmë pa qeverinë”, thuhet në faqen zyrtare të komunës së Gjakovës.

Kjo rrugë parashihet të përfshijë shtigjet për ecje, çiklizëm, gjelbërim, rrugën për qarkullimin  e automjeteve me dy rrethrotullime dhe një urë që do të ndërtohet në kuadër të këtij projekti.

Prezent sot ishin edhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj dhe ministri në detyrë i Transportit, Pal Lekaj.

Ministri Lekaj kishte premtuar që do të bëhet edhe Autostrada e Dukagjinit, ndërsa Haradinaj iu është drejtuar punëtorëve dhe punëkryesve që të mos bëjnë kompromise në kualitetin e ndërtimit.