Eksporti - Foto: REL/EPA

Mbi 245 milionë euro deficiti tregtar në muajin shtator

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për -4.5 për qind në muajin shtator 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 245.5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 257.2 milionë eurosh në vitin 2019. eksporti mbulon importin me14.5 për qind.

Në muajin shtator u importouan mbi 287 milionë euro mallra ndërsa u eksportuan rreth 42 milionë euro

“Eksporti i mallrave në muajin shtator 2020 kishte vlerën 41.7 milionë Euro, ndërsa importi 287.2 milionë Euro, që është një rritje prej 8.6% për eksport, dhe një rënie prej (-2.8%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.”, thuhet në komunikatë.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23.7 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.5 për qind të eksporteve e përbëjnë produktet bimore; 13.3 për qind të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 12.7 për qind të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.6 për qind të eksporteve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6.8 për qind të eksporteve e përbëjnë produktet minerale; 4.6 për qind të eksporteve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4.5 për qind të eksporteve e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.3 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.0 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.3 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 11.1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.5 për qind e përbëjnë produktet minerale; 7.9 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.8 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Gjermania partneri kryesor i Kosovës ne eksport-importin me BE-në   

Në rapotin e ASK-së thuhet se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 15.3 milionë Euro, ose rreth 36.8 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19.2 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania 13.3 për qind,  Britania e Madhe 3.7 për qind, Holanda 3.3 për qind, etj.

Nga BE-ja u importuan mbi 119 milionë euro kryesisht nga dheti i Gjermanisë

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 119.5 milionë Euro, ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-16.0%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.3%), Italia(5.0%), Polonia (3.2%), Greqia (2.6%), etj.”, thuhet në komunikatë.

Shqipëria besnike e Kosovës në tregtinë me vendet e CEFTA-së

Në muajin shtator 2020, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 18.5 milionë euro, ose 44.6 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.9 për qind.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria 15.6 për qind, Maqedonia e Veriut 10.5 për qind, Serbia 9.5 për qind, dhe Mali i Zi 7.3 për qind.

Nga vendet e anëtare të CEFTA-së u importuan mbi 62 milionë euro mallra

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin shtator 2020, arritën në 62.4 milionë Euro, ose 21.7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 46.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (7.2%), Serbia (6.6%) dhe Maqedonia e Veriut (5.8%). “, bën të ditur komunikata

Në anën tjetër, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 7.7 milionë euro, ose 18.6 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA 8.6 për qind dhe Zvicra 7.1 për qind.

Kurse, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 105.2 milionë euro, ose 36 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 12.3  dhe Kina 10.1 për qind.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e të dhënave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator 2020.