(Shkatërrimi pas tërmetit në Thumanë) - Foto ilustruese

Mbi 2,400 zyrtarë policorë po vazhdojnë kërkimet pas tërmetit në Shqipëri

Mbi 2,400 zyrtarë policorë janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë të prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Policia e Shtetit ka njoftuar se po vazhdojnë ende operacionet e kërkim- shpëtimit për gjetjen e personave të mbetur nën rrënoja.

Forcat speciale Renea, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, Fierit dhe Shkodrës, dhe Policia e  Durrësit, prej rreth 32 orë po vazhdon operacionet e kërkim- shpëtimit në Durrës dhe në Thumanë të Krujës.

Policia e Shtetit ka njoftuar se këtyre operacioneve të kërkim- shpëtimit,  i janë bashkëngjitur edhe ekipet e forcave të ushtrisë, emergjencave civile dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit.

Mëngjesin e sotëm e deri tani nga rrënojat në Thumanë janë nxjerrë tre persona të pajetë dhe kërkimet vijojnë pa ndërprerë.

KALLXO.com në vazhdimësi po raporton live për gjendjen në Shqipëri pas tërmetit i cili ndodhi mëngjesin e djeshëm.

(VIDEO) Rrëfimi i gjyshit durrsak: Nipat dhe mbesat më përqafuan kur ndodhi tërmeti

Deri më tani bilanci i viktimave nga tërmeti është 31 persona, ndërkohë që shifra zyrtare e raportuar është 25 duke krijuar një diferencë në shifra për shkak se ka një mospërputhje për disa viktima të cilat ende nuk janë identifikuar.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe në Durrës, të cilat janë zonat më të prekura nga tërmeti, ndërkohë që 27 Nëntori është zyrtarisht Ditë Zie Kombëtare.