Armatimi i sekuestruar në veri. Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com/30.11.2024
Mbi 200 uniforma ushtarake, armë e zolla – krejt çka u gjet në bastisjet në veri
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka treguar se çka është gjetur sot, më 30.11.2024, në baritjes që u zhvilluar në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se në 10 lokacionet që u kryen bastisjet pas sulmit terrorist në Ibër-Lepenc janë gjetur mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë zolla nga të cilat tri janë të përdorura, tri granata dore, dy armë automatike AK-47, një revole, municione të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska thika, të holla në euro dhe në dinarë dhe pajisje të tjera.
Madje, ai tha se në një rast të ndarë në Zveçan janë gjetur dy armë automatike AK-47, tri revole, një armë e gjuetisë, dy armë dekorative, gjashtë karikatorë të AK-47, municione të kalibareve të ndryshëm, uniforma ushtarake, pjesë e sipërme e uniformës së Policisë së Kosovës.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se që nga mëngjesi i sotëm, 30.11.2024, janë arrestuar dhe shoqëruar në Policinë e Kosovës tetë persona.
“Siç është bërë e ditur pas hetimeve intensive sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione janë realizuar kontrolle me ç’rast janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore 8 persona të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale e terroriste” – tha ministri.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Vrragë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me këtë rast. Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024), ku ka diskutuar për këtë shpërthim. Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi. Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.