Ndërtimi i shtëpive të dëmtuara gjatë luftës në Mitrovicë të Veriut Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Mbi 200 shtëpi të reja pritet të ndërtohen në katër komunat në veri të Kosovës
Mbi 200 shtëpi të reja parashihen të ndërtohen në katër komunat veriore të Kosovës.
Kështu ka njoftuar ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, duke bërë të ditur se ka nënshkruar marrëveshje bashkëfinancimi me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe shoqata ‘Jetimat e Ballkanit’, në frymën e bashkëpunimit dhe sigurimit të banimit të qendrueshëm, për banorët e komunave veriore do të ndërtojnë mbi 200 shtëpi duke iu dhënë të drejtë familjëve të realizojnë ëndrrën e tyre për të banuar dhe jetuar në tokat e tyre”- thuhet në njoftim.
Sipas tij, 100 shtëpi do të ndërtohen me financim nga Ministria dhe 100 të tjera nga shoqata.
“Me Halil Kastratin nënshkruajtëm marrëveshjen për bashkëfinancimin e ndërtimit të mbi 200 shtëpive në komunat Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan. Mbi 100 shtëpi do të ndërtohen me financim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe mbi 100 nga shoqata ‘Jetimat e Ballkanit’, si fillim për një jetë e re për këto familje”- thuhet në njoftim.
KALLXO.com kishte raportuar se më 26.06.2024 shtëpitë më tulla të kuqe e me çati të dëmtuara, pa dyer e dritare, të djegura gjatë luftës së fundit në Kosovë janë shndërruar në shtëpi të bardha.
Shqiptarët të cilët u detyruan asokohe të shpëngulen në jug të qytetit iu patën gëzuar lajmit se do t’u ndërtohen shtëpitë.
Lulëzim Rrakateli bashkë me dy vëllezërit u detyruan të banojnë në jug të Mitrovicës derisa qeveria mori vendimin për ndërtimin e këtyre shtëpive. Të tre vëllezërit kanë banuar me qira.
“Qe 24 vite, jena t’u prit me na u ndërtu shtëpia”- ka thënë Lulëzim Rrakateli.
Vështirësitë që i ka përjetuar gjatë periudhës nga lufta e këndej nuk i harron as Afrim Koshi.
“Se edhe unë meritoj- kam merita. 43 vjet jetoj këtu dhe problemet e peripetitë që i kam përjetu nuk i harroj kurrë”- thotë ky banor i Lagjes së Boshnjakëve.
Ndërkaq, njëri nga banorët tjerë të zonës, Afrim Ahma rrëfen se është detyruar të blejë banesë pasi shtëpia i është djegur gjatë luftës.
“Kërkush hiç nuk ka pagu për neve gjatë 24 viteve. Unë jetoj në Prishtinë. Vetë kam pagu. E kam një banesë”- thotë ai për KALLXO.com.
Më 06.02.2024 është hapur thirrja publike për ndërtimin e shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë në komunën e Mitrovicës së Veriut.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se janë ndarë 3 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për rindërtimin e shtëpive për qytetarët e komuniteteve jo shumicë në Mitrovicë të Veriut.
KALLXO.com ka raportuar më 08.09.2023 kur ka nisur ndërtimi i shtëpive në Mitrovicë të Veriut që ishin dëmtuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
24 vjet pas përfundimit të luftës, institucionet kishin nisur projektin për rregullimin e shtëpive të djegura në Mitrovicë të Veriut.
Ishin 23 familje të cilave do t’u ndërtohen shtëpitë. Ky projekt i ka kushtuar qeverisë së Kosovës 1 milion euro.
Punimet kanë filluar më 06.09.2024.
https://www.facebook.com/watch/?v=1230143434261708