Mbi 20 milionë euro buxhet i ndarë për subvencionimin e librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025
Ministria e Arsimit i ka ndarë 20,418,670 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, udhëheqësi i divizionit për buxhet dhe financa në Ministri të Arsimit, Fehmi Zylfiu.
“Buxheti i ndarë nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere në vlerë prej 20,418,670.00€ për vitin shkollor 2024/25” – është përgjigjur Zylfiu, më 06.09.2024.
Në krahasim me vitin shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit i ka ndarë 8,167,220 euro më shumë këtë vit për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.
KALLXO.com e ka pyetur Zylfiun edhe për buxhetin e shpenzuar për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2023/2024.
“Buxheti i ndarë nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere në vlerë prej 12,251,450.00€ për vitin shkollor 2023/24” – ka thënë Zylfiu.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, më 15.08.2024.
Shuma prej 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025 është dedikuar në kuadër të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 14.08.2024.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 14.08.2024, fillimisht është aprovuar kërkesa e Ministrisë së Arsimit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 7,375,138 euro për subvencionimin e blerjes së teksteve dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Pastaj janë ndarë edhe 6.5 milionë euro në kuadër të masës 4.2 – Mbështetja e Arsimit, të Pakos së Ringjalljes ekonomike, për subvencionimin e materialeve dhe teksteve shkollore.
Se Ministria e Arsimit do të shpenzojë 20,123,240 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025, kishte pretenduar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Në një konferencë për media më 15.08.2024, Haxhiu së bashku me deputetin tjetër të PDK-së, Ardian Kastrati kanë kritikuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.
Haxhiu kishte prezantuar gjatë konferencës llogaritë që ia kanë bërë Ministrisë së Arsimit se sa do të shpenzojë për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit po i subvencionon me 80 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore.
“Nga klasa e parë deri të pestën në Kosovë janë të regjistruar 119,130 nxënës. Llogarit vendimin e Ministrisë që të subvencionohen kah 80 euro të gjithë këta nxënës, i bie që për këtë nëse të gjithë nxënësit të subvencionohen gjë që nuk ka ndodhë vitin e kaluar, atëherë Ministria të shpenzojë vetëm nga klasa e parë deri në klasën e pestë 9,531,120 euro” – ka thënë Haxhiu, më 15.08.2024.
Ndërsa, prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit po i subvencionon me nga 110 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore.
“Nga klasa 6 deri në klasën e 9, në Kosovë janë të regjistruar 96,292 nxënës. Vendimi i Ministrisë është që këta nxënës të sunvencionohen me 110 euro që i bie, për klasën 6 – 9, nëse të gjithë nxënësit subvencionohen e që nuk ka ndodhë vitin e kaluar, atëherë të shpenzohen 10,592,120 euro” – ka shtuar Haxhiu.
Sipas Haxhiut, në total subvencionimi i blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për prindërit e nxënësve të klasave 1 – 9, në vitin shkollor 2024/2025, Ministrisë së Arsimit do t’i kushtojë mbi 20 milionë euro.
“Në total nëse të gjithë nxënësit, nga klasa e parë deri te klasa e nëntë subvencionohen, Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, do të shpenzojë 20,123,240 euro” – ka deklaruar Haxhiu.
Haxhiu ka vlerësuar se shpenzimi mbi 20 milionë për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për të cilin pretendojnë, është keqpërdorim, ‘zhvatje’ e buxhetit të shtetit, sepse ai pretendon se oferta e shtëpive botuese në vitin e kaluar ka qenë 4 milionë e 800 mijë euro.
“Nga 4 milionë e 800 mijë euro, brenda një viti Ministria (e Arsimit) ka planifikuar t’i shpenzojë mbi 20 milionë euro apo thënë shkurt mbi 15 milionë euro të buxhetit të shtetit bëhen rrush e kumbulla dhe për këtë duhet Prokuroria e Kosovës me urgjencë të veprojë dhe të ndalojë këtë keqpërdorim” – ka thënë Haxhiu.
Këtyre pretendimeve të PDK-së u është kundërpërgjigjur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Armend Muja, në një konferencë për media të datës 16.08.2024.
Deputeti Muja tha se edhe pse shifrat janë lehtë të verifikueshme në Thesar të shtetit, po haset një insistim i vazhdueshëm nga opozita që të gënjejnë me shifrat e shpenzimeve për tekste shkollore, dhe sipas tij, “kjo fillon të bëhet pakëz edhe e frikshme”.
“Në rast se të dhënat merren zyrtarisht nga Thesari dhe thuhet se në vitin 2023 janë shpenzuar 5.7 milionë euro për tekste shkollore, cili është insistimi që vazhdimisht para mediave dhe në studio televizive të gënjehet se po shpenzohen 11 milionë apo 20 milionë” – tha Muja, më 16.08.2024.
“Zyrtarisht nga Thesari në vitin 2023, këto janë shifrat të qasshme edhe për ju edhe ish dasht me qenë të qasshme edhe për ju, janë shpenzuar 5.7 milionë euro për tekste shkollore që është, krahas vitit 2017, më e ulëta që është shpenzuar ndonjëherë në Republikën e Kosovës, është për vitin paraprak kur ka filluar subvencionimi” – ka shtuar Muja.
Muja tha se nuk është e vërtetë se do të shpenzohen 20 milionë euro për tekste shkollore.
Ai tha se dallimi mes vitit 2023 dhe vitit 2024, është se në vitin 2023 kanë qenë tekstet vetëm për shkollimin fillor, ndërsa këtë vit do të jenë edhe për shkollimin fillor dhe të mesëm të ulët.
“Pra do të ketë rreth 212 mijë nxënës që do të përfitojnë. Kjo shifër siç parashihet në planifikimin fillestar është 13 milionë që janë alokuar që të mbulohen të gjitha nevojat për tekste shkollore. Përveç kësaj shifre në dy vite radhazi Ministria e Arsimit është duke alokuar edhe një shifër shtesë, linjë të veçantë buxhetore, që është për çanta, fletore, lapsa. Është linjë që më herët nuk ka ekzistuar, para vitit 2023” – tha Muja.
Lidhur me subvenciminin e librave për vitin e kaluar shkollor janë ngrehur dyshime nga opozita në Kuvendin e Kosovës. Për këtë qëllim në Kuvend është krijuar një komision i veçantë hetimor që po merret me hulumtimin e rastit- nëse ka pasur ose jo keqpërdorime në këtë proces.
Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/2024 deri më tani ka intervistuar drejtorë komunal të Arsimit dhe disa zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në cilësin e dëshmitarëve për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore.
Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Bekim Haxhiu, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arbër Rexhaj, Vlora Dumoshi, Agim Veliu dhe Duda Balje.
Deputeti Dreshaj në një përgjigje për KALLXO.com më 30.07.2024 kishte njoftuar se intervistimi i dëshmitarëve tjerë të mbetur nga ky Komision do të vazhdojë më 09.09.2024.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 13.08.2024 në një konferencë për media deklaroi se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.
“Edhe sivjet tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar, pra subvencionimit të prindërve të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë (për subvencionim) që nesër” – ka thënë Nagavci, më 13.08.2024.
As ministrja Nagavci e as zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi kur u pyeten për çmimin e librave dhe vlerën e ndarë të buxhetit për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore, nuk i bën të ditura.
“Nëse kalkulohet si buxhet i tërësishëm, nuk mundemi me kalkulu për shkak se një pjesë e mjeteve shkojnë për tekste shkollore, ndërsa pjesa tjetër është për furnizim të materialeve shkollore. Përderisa nuk i kemi çmimet nuk mundemi me kalkulu, nuk mundemi me prediku shuma. Na mundemi me i nda me juve sa i ndajmë për kokë nxënësi” – ka thënë Kelmendi, më 13.08.2024.
Më pas, ministrja Nagavci tha se e kanë bërë kalkulimin e parë për buxhetin duke pasë parasysh ofertat e para të librave nga shtëpitë botuese.
“Ne do të kërkojmë nga shtëpitë botuese ashtu sikur se edhe vitin e kaluar që t’i publikojnë të gjitha çmimet… Ne kemi bërë planifikime, janë disa planifikime të cilat i kemi bërë por shifrat finale nuk mund t’i japim sot, sepse varet prej numrit të atyre që do të aplikojnë” – ka shtuar Nagavci.
Aplikimi i prindërve të nxënësve për t’u subvencionuar për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore përmes platformës online e-Kosova është hapur nga data 14.08.2024 dhe po vazhdon.
Më 31.08.2024, ministrja Nagavci njoftoi se 203 mijë e 407 prindër apo kujdestarë ligjorë kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve apo materialeve shkollore për vitin e ri shkollor.