Mbi 2 milionë udhëtarë kaluan përmes Aeroportit "Adem Jashari" gjatë vitit 2021

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës (AAC) ka njoftuar se gjatë vitit 2021, përmes Aeroportit Ndërkombëtar në Prishtinës “Adem Jashari” kanë kaluar 2,180,809 udhëtarë.

Ky numër i udhëtarëve, sipas AAC-së është 97 % më i lartë se numri i udhëtarëve që janë shërbyer në këtë aeroport në vitin 2020 (1,104,435).

Kjo për shkak të përmirësimit të trafikut ajror në krahasim me vitin e kaluar ku pandemia kishte shkaktuar krizën më të madhe në historinë e aviacionit.

Sipas njoftimit, numri më i lartë i udhëtarëve që ka shfrytëzuar ANP “Adem Jashari” është shënuar në muajin gusht, me 383,776 udhëtarë, që pasohet nga muaji korrik, me 340,446 udhëtarë. Ndërsa, numër të ulët të udhëtarëve ka pasur gjatë muajit prill, me 79,278 udhëtarë, dhe muaji shkurt, me 96,442 udhëtarë.

“Gjatë vitit 2021 janë realizuar 8,921 nisje fluturimesh, apo 92% më shumë se vitin e kaluar. U dalluan me më së shumti fluturime muajt gusht dhe korrik, me 1,517 dhe 1,367 nisje fluturimesh. Në anën tjetër, muaji prill kishte më së paku nisje fluturimesh, 370”, thuhet në njoftim.

Prej destinacioneve, me më së shumti udhëtarë dallohen Bazeli (BSL/MLH), Cyrihu dhe Dyseldorfi. Prej shteteve, sa i përket trafikut të përgjithshëm nga Prishtina, Zvicra është e para e pasuar nga Gjermania, Turqia, Austria, Suedia e kështu me radhë.

Prej kompanive ajrore, sipas njoftimit prin “EasyJet” me numrin më të madh të udhëtarëve të shërbyer nga Prishtina, e pasuar nga “Eurowings”, “Wizzair”, “GP Aviation”, “Trade Air”, “Pegasus Airlines”, e kështu me radhë.

Sa i përket destinacioneve të mëtejme prej Prishtinës, prin Nju Jorku (JFK), pasuar nga Nju Xhersi (Newark International), Çikago (O’Hare), Frankfurti, Washingtoni dhe Antalia.