Ilustrim

Mbi 194 mijë aplikime për subvencionim të teksteve dhe materialeve shkollore

194 mijë e 180 aplikime për subvencionim të teksteve dhe materialeve shkollore janë regjistruar deri më tani në E-Kosova, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci.

Prej tyre, 171 mijë e 200 aplikues kanë pranuar paratë, thotë ajo.

Procesi i transferimit të mjeteve është duke vazhduar edhe sot. Ashtu siç e kemi thënë, asnjë nxënës nuk do të mbetet pa tekste shkollore dhe si asnjëherë më parë gjithçka është gati për fillimin me kohë e të mbarë të vitit shkollor” – ka shkruar Nagavci.

Aplikimi i prindërve të nxënësve të klasave 1 – 9 për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore në platformën e-Kosova ka filluar nga data 14.08.2024.

Për prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit njoftoi se do t’i subvencionojë me 80 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, njësojë si vitin e kaluar.

Ndryshe nga viti i kaluar, Ministria e Arsimit do t’i subvencionojë edhe prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, me nga 110 euro.

Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Edhe këtë vit ka pakënaqësi dhe kritika për mënyrën e subvencionimit të librave pasi vitin e kaluar kur edhe nisi ky proces për herë të parë, shumë nxënës kishin mbetur pa subvencionim, me theks, fëmijë që nuk i kanë prindërit shtetas të Kosovës, e që nuk kishin arritur të aplikojnë përmes platformës E-Kosova.