Z Mobile dhe Telekomi i Kosovës

Mbi 17.2 milionë euro borxhet e Telekomit ndaj Z-Mobile-it

17,281,142 euro është borxhi i mbetur i Telekomit të Kosovës ndaj Dardafone.net, sipas marrëveshjes për pagesën e borxhit në procedurën e përmbarimit.

Ky borxh do të paguhet me këste mujore prej 720,048 eurove, duke shtuar edhe 7% kamatë vjetore dhe shpenzimet e përmbarimit.

“Ih-MVNO Dardafon”, përmes përmbaruesit privat, më 15 korrik 2020, kishte filluar përmbarimin duke bllokuar llogaritë e kompanisë dhe ekzekutuar një pjesë të borxhit, rreth 3.3 milionë euro. Pas dy javësh kreditori kishte zhbllokuar përkohësisht llogaritë për t’i bllokuar sërish në tetor 2020, pas dështimit të arritjes së një marrëveshje mes palëve për planin e pagesave të borxhit. Me datë 17 nëntor 2020, palët kanë arritur marrëveshje për pagesën e borxhit në procedurën e përmbarimit. Borxhi i mbetur sipas kësaj marrëveshje është 17,281,142 euro i cili do të paguhet në 24 këste mujor”, thuhet në raportin vjetor të 2020-ës për Telekomin e Kosovës.

Auditori ka konstatuar se kësti i lartë i këtij borxhi, rëndon edhe më tej gjendjen e vështirë financiare të Kompanisë, ku rrjedha neto e parasë, vazhdon të jetë negative edhe për vitin 2021.

Gjykata Themelore Prishtinë në vitin 2020, ia kishte njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimin (realizimin) e borxhit milionësh, duke ia refuzuar kundërshtimin e parashtruar nga Telekomit të Kosovës.

“Dardafon.net LLC” ka operuar me emrin tregtar “Z-Mobile” si operator virtual i telefonisë mobile dhe 90% të aksioneve të kompanisë janë të Blerim Devollit.

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon.net LLC” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës, zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim. Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes, pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare, sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G.

E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.