Mbi 150 mijë automjete të paregjistruara në Kosovë

Sami Mazreku, ushtrues detyre i drejtorit të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës (BSK), ka thënë se ky institucion ka shënuar rënie të të hyrave gjatë vitit të kaluar, madje me rreth 65%.

“Të hyrat në vitin që lëmë pas, kanë rënë në masën prej më shumë se 65% dhe kjo ka qenë sfiduese. Gjatë ditëve të vijim, na pret një punë e madhe për planin e riformimit të tërësishëm të Byrosë së Sigurimeve”, ka paralajmëruar ai.

Një nga shkaqet e rënies së tillë financiare, është edhe numri i madh i automjeteve motorike të paregjistruara.

“Janë mbi 150 mijë automjete të tilla”, tha ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti tha se si shkak i mos sigurimit të veturave, pos humbjeve të mëdha monetare që pëson edhe BSK, edhe numri i aksidenteve është më i lartë.

“Sipas statistikave, aksidentet me fatalitet në të shumtën e rasteve, ndodhin si shkak i mos sigurimeve të veturave. Përveç humbjeve të jetës dhe rrezikimit të qytetarëve edhe humbjet materiale janë të mëdha”, tha ai.

Mehmeti tha se edhe asetet e sigurimeve vitin e kaluar kanë pësuar rënie.

“Kosova vazhdon të mos jetë anëtare e Këshillit të Byrove si shkak i mosanëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Detyrimet e sektorit të sigurimeve ndaj klientëve, gjatë vitit 2020 kanë arritur në rreth 106 milionë euro”, tha guvernatori i BQK-së.

Sokol Havolli, zëvendës-guvernator paralajmëroi një varg reformash në BSK.

“Jem duke përgatitur terrenin për të ndërmarrë një varg reformash. Në këtë drejtim pajisja me polisa të sigurimeve e lehtëson edhe anëtarësimin e Kosovës në kudër të kartonit të gjelbër”, shtoi ai.