Mbi 15 mijë nënshkrime pro tërheqjes së mjeteve nga Trust-i

Mbi 15 mijë qytetarë e kanë nënshkruar brenda pesë ditëve peticionin, përmes së cilit kërkohet tërheqja e një pjese të kursimeve nga Trusti.

Kështu ka bërë të ditur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, iniciues i nismës për ndryshim-plotësimin e Projektligjit për Kursimet Pensionale, i cili mundëson tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

“I fascinuar me angazhimin e qytetarëve për të ri proceduar në Kuvend Projektligjin për Trustin”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Mirënjohje e veçantë për Adnan Jasharin dhe të gjithë aktivistët, qytetarët qe anekënd Kosovës u organizuan dhe për 5 ditë kanë siguruar mbi 15 nënshkrime për Nismën Legjislative Qytetare për Projektligjin për Trustin”, shkroi Haxhiu.

Projektligji për Trustin është hedhur në votim në seancën e Kuvendit të 23 qershorit, por nuk kaloi pasi pozita votoi kundër.

Qeveria po e kundërshton tërheqjen e mjeteve nga Trusti, pasi sipas saj, ato janë për moshën e pleqërisë.