Mbi 15 mijë adoleshentë kanë marrë vaksinat antiCOVID në Kosovë

Vaksinimi i personave nën 18 vjeç ka afër dy muaj që ka filluar në Kosovë. Ministria e Shëndetësisë ka thënë për KALLXO.com se janë gjithsej 15 mijë e 510 persona të moshës nën 18 vjeç që janë vaksinuar të paktën me njërën dozë të vaksinës kundër COVID – 19.

“Deri tani 15 mijë e 510 persona të moshës nën 18 vjeç kanë marr të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID – 19”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Të njëjtit treguan se nga këta persona, 8 mijë e 33 janë vajza dhe 7 mijë e 477 djem.

MSH shpjegoi se më të dyja dozat janë vaksinuar 6 mijë 619 adoleshent.

“Nga ta 3 mijë e 404 janë vajza dhe 3 mijë e 215 djem”, njofton MSH.

KALLXO.com më 18 gusht të këtij viti kishte raportuar për detajet se si mund të vaksinohen personat nën 18 vjeç.

MSH asokohe kishte thënë për KALLXO.com se fëmijët e moshës mbi 16-vjeç mund të vaksinohen me vaksinën e ‘Pfizer’, ndërsa fëmijët e moshës 12-15 vjeç, që janë me probleme shëndetësore, mund të vaksinohen pas konsultimit paraprak me mjekun.