Votim në Kosovë – Foto: REL

Mbi 14 mijë euro për vula dhe jastëk për zgjedhjet e së dielës

Që një fletëvotim të jetë i vlefshëm ai duhet të vuloset. Për këtë qëllim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), planifikoi të furnizohet me vula dhe jastëk për to. Buxhetit të Republikës së Kosovës, ky material pritet t’i kushtoj mbi 14 mijë euro.

KQZ-ja, përmes platformës “e-prokurimi” bëri të ditur se ka nënshkruar kontratën për t’u furnizuar me vula dhe jastëk për vulosjen e fletëvotimit.

“Furnizimi me Vula dhe Jastëk për Vula për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2019”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Për blerjen e tyre, KQZ kishte parashikuar mjete për kontratë në vlerë deri në 31 mijë e 500 euro.

Këto mjetet janë siguruar nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

Ky institucion kompetent I zgjedhjeve kishte ndjekur procedurën e negociuar të prokurimit me kriter çmimin më të ulët, kështu duke përzgjedh kompaninë fituese me çmim prej 14 mijë e 100 euro.

Në raport me mjetet e parashikuara për to, KQZ-së blerja e tyre i kushtoj përgjysmë më lirë.

Kujtojmë se në muajin korrik kryeministri Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga kreu i ekzekutivit me ç’rast vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme.